Lidhje

Franca përjashton gabimin njerëzor për aksidentin


Zyrtarët francezë thonë se nuk ishte gabimi njerëzor shkaku për daljen nga shinat të një treni në jug të Parisit që shkaktoi vdekjen e të paktën gjashtë vetëve dhe plagosjen e 30 të tjerëve. Aksidenti ndodhi dje, kur treni u përplas me një platformë të stacionit hekurudhor në Bretigny, rreth 26 kilometra në jug të kryeqytetit francez.

Ministri francez i Transportit, Frederick Cuvillier vlerësoi sot veprimet e shpejta të inxhinierit të trenit dhe tha se hetimi do të përqëndrohet në aspekte si infrastruktura. Ai i tha një radioje franceze se njoftimi me shpejtësi nga ana e inxhinierit për daljen nga shinat shmangu përplasjen me një tren tjetër me vetëm disa sekonda. Treni doli jashtë shinave dje, duke u përplasur me një platformë të stacionit në Bretigny, rreth 26 kilometra në jug të kryeqytetit francez. Ai kishte udhëtuar nga Parisi për në qytetin Limoges.

"Gjatë tridhjetë minutave të para, ishte një udhëtim normal, çdo gjë ishte në rregull. Por në një pikë treni filloi të dilte dhe ne kishim përshtypjen se po ecte mbi zhavorr. Ishte diçka tronditëse dhe më pas unë pashë vagonin para nesh të fillonte të kthehej dhe të përmbysej anash. Në vagonin tonë u thyen dritaret .. ishte diçka shumë tronditëse."

Sot në mesditë punonjësit e hekurudhave në të gjithë Francën mbajtën një minutë heshtje për viktimat e aksidentit. Ministri Cuvillier dhe Presidenti i Kompanisë Franceze të Hekurudhave Guillaume Pepy ishin në stacionin Gare de Lyon në Paris.
Aksidenti i djeshëm ndodhi ndërkohë që shumë familje në Francë udhëtojnë për pushimet verore. Kjo është një fundjavë pushimi kombëtar për vendin, i cili nesër feston Ditën e Bastijës.

Tre hetimet të veçanta, duke përfshirë një hetimi policor, janë duke u kryer për të përcaktuar shkakun e saktë të daljes nga shinat dhe rrëzimit të trenit.
XS
SM
MD
LG