Lidhje

Emmanuel Macron, president i Francës


Politikani i qendrës, Emmanuel Macron, është president i ri i Francës. Me 66.06 për qind të votave të fituara, ai la prapa rivalen e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen me 33.94 për qind, duke bërë gjë Brukseli të marrë frymë më lirshëm.

Presidenti i zgjedhur, u tha mbështetësve të tij se do të shërbejë me përulësi dhe duke u qëndruar besnik parimeve të Republikës për “liri, barazi dhe vëllazëri” dhe do të punojë për të bashkuar kombin e ndarë .

Rivalja e tij, Marine Le Pen foli para se ta merrte fjalën zoti Macron, duke pranuar humbjen me fjalët "francezët votuan për vazhdimësi". Ajo përgëzoi rivalin e saj, por duke theksuar se partia e saj ofroi në këtë zgjedhje një alternativë të mirëfilltë për votuesit francezë. Marine Le Pen tha se do të vazhdojë të luftojë për ata francezë që duan begati dhe siguri dhe janë të shqetësuar për drejtimin e vendit.

Përkrahësit e zonjës Le Pen filluan të këndojnë Marsejezën, himnin kombëtar të Francës pasi qendrat e numërimit filluan të nxjerrin shifrat që tregonin se Emmanual Macron do të bëhej presidenti i ri i Francës.

Franca votoi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që u panë si përcaktuese për të ardhmen e Francës, për rrugën e saj drejt globalizimit apo rrugën e vetizolimit dhe daljen nga Bashkimi Evropian.

Në një konkurrencë të dominuar nga punësimi, imigrimi dhe siguria, francezët votuan për të zgjedhur ndërmjet politikanit të qendrës, ish-ministrit pro-evropian të ekonomisë, Emmanuel Macron dhe nacionalistes kundër migrimit, Marine Le Pen.

Zgjedhjet u zhvilluan nën kushte të forta sigurie. Autoritetet vendosën 50 mijë policë, ushtarë dhe roje private të sigurisë për të ndjekur votimet në Paris, Nicë dhe qytete tjera.

Franca është nën gjendjen e jashtëzakonshme pas serisë së sulmeve të ekstremistëve islamik që vranë mbi 200 veta gjatë dy viteve të fundit.

Reagime pas fitores së Emmanuel Macron

Presidenti në largim, Franois Hollande, i cili ishte vënë edhe gjatë fushatës në mbështetje të zotit Macron, tha përmes një deklarate fitorja e Macronit në zgjedhjet presidenciale, tregon se shumica e francezëve duan të bashkohen rreth “vlerave të Republikës”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, uroi ka zotin Macron për fitoren në zgjedhjet presidenciale. "Pres me padurim të punoj me të", tha në urimin e tij të postuar në rrjetin social twitter, presidenti Trump

Kancelarja gjermane, Angela Merkel e cilësoi fitoren e tij si fitore për “Evropën e bashkuar”.

“Urime Emmanuel Macron. Fitorja juaj është fitore për Evropën e fuqishme dhe të bashkuar dhe për miqësinë franko-gjermane”, thuhet në deklaratën e transmetuar nga zëdhënësi i kancelares Merkel, Steffen Seibert.

“Franca është njëri prej aleatëve tonë më të ngushtë dhe ne presim që të punojmë së bashku me presidentin e ri”, thuhet ndërkaq në një deklaratë të kryeministres britanike, Theresa May.

Për presidentin e Këshllit Evropian, Donald Tusk, francezët zgjodhën “lirinë, barazinë dhe vëllazërinë mbi tiraninë dhe lajmet e rrejshme”.

Ndërsa, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se francezët zgjodhën “të ardhmen e tyre evropiane”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG