Lidhje

50 vjet pas protestave të majit 1968 në Francë


Kanë kaluar 50 vjet që nga trazirat sociale të majit 1968 në Francë. Në këtë përvjetor, rrugët e Parisit janë të mbushura me protestues që po shprehin kundërshtimin e tyre ndaj reformave të qeverisë centriste të Emmanuel Macronit. Por siç njofton korrespondentja Lisa Bryant, këtë radhë energjia dhe fryma e protestave dallojnë shumë nga trazirat që përfshinë Francën gjysmë shekulli më parë dhe që lan[ një gjurmë të përhershme në historinë dhe shoqërinë e vendit:

Protestat që shoqërojnë si gjithmonë ditën e 1 Majit, u rishfaqën këtë javë dhe pritet të pasohen me një muaj tubimesh e demonstratash nga studentë e punëtorë të revoltuar. Këto pamje të kujtojnë Francën e 50 vjetëve më parë.

Trazirat e majit 1968 filluan si protesta studentore me thirrjet për më shumë liri, por u përhapën në fabrika dhe thuajse paralizuan ekonominë.

Ato arritën të mobilizojnë deri në 1 milion protestues që marshuan në Paris me thirrjet për dorëheqjen e Presidentit të moshuar, heroit të Luftës II Botërore, Charles de Gaulle. Megjithë protestat, partia e tij fitoi në zgjedhjet parlamentare një muaj më pas.

Por revolta pati efekte afat-gjata. Një vit më pas, De Gaulle dha dorëheqjen. Protestat e 1968 ishin shumë më tepër se një revoltë publike:

“Protestat ishin edhe për lirinë seksuale, të drejta politike, për muzikën. Ishin thirrje për shpirtin krijues të rinisë, larg nga tutela e prindërve,” thotë historiania Nicole Bacharan.

Por të tjerët mendojnë se protestat kryesisht mbollën kaos:

“Ata digjnin makina. Gjithë ideja ishte ‘të shkatërrojmë thjesht për të shkatërruar’. Nuk donin të lodheshin për t’u arsimuar, donin shkollë pa konkurrim,” thotë publicisti Jean Picollec.

Kaos ka pasur edhe gjatë protestave të kësaj jave, por për arsye të tjera.

Protestat e 1968 filluan në Universitetin Nanterre, pranë Parisit, ku gjatë javëve të fundit studentët kanë bllokuar rrugët duke kundërshtuar kërkesat e reja për pranim në shkollë.

“Kemi kërkesa të ngjashme, duam më shumë liri dhe të drejta për këdo dhe arsim më cilësor,” thotë MANEL DJADOUN, Kryetare e Unionit Komunist Studentor, Universiteti Nanterre.

Edhe punonjësit e hekurudhave janë hedhur në protesta kundër planeve të qeverisë për të reformuar sistemin kombëtar të transportit hekurudhor. Punonjësit e kompanive të fluturimeve, sektorit të shëndetësisë, aktivistët për të drejtat e imigrantëve dhe grupet anti-kapitaliste janë mobilizuar. Por këto trazira dallojnë nga protestat e 1968:

“Lëvizja e 1968 ishte shumë më kolektive, më e përgjithshme, me një axhendë më radikale për të ndryshuar politikën dhe qeverinë. Nuk është ashtu sot,” thotë një protestues.

“Tani, në Francë, njerëzit nuk protestojnë me thirrjet për liri apo për të ndryshuar botën, por për siguri sociale e mbrojtje,” thotë historiania Nicole Bacharan.

Protestat e majit 1968 përmbyllën një epokë. Presidenti aktual i Francës, Emmanuel Macron i përket një epoke të re. Ai nuk kishte lindur ende në 1968, por zoti Macron duhet të përgatitet për vazhdimësinë e një tradite: protesta, demonstrata dhe thirrje të revoltuara në javët e muajt në vazhdim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG