Lidhje

Francezët reagojnë ndaj rezultatit të zgjedhjeve rajonale


Parizienët janë të ndarë lidhur me rezlutatet e zgjedhjeve rajonale në vend, pasi Fronti Kombëtar i së djathtës ekstreme siguroi një fitore dërrmuese në raundin e parë dje, në një arritje që trondit relievin politik të vendit para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2017.

Me pozita të forcuara nga frika e votuesve pas sulmeve të Shtetit Islamik që shkaktuan vdekjen e 130 vetëve në Paris më 13 nëntor, nga një papunësi rekord dhe shqetësimet për imigracionin, partia e Marine Le Penit siguroi 27.96 për qind të votave në shkallë kombëtare.

Partia e rriti mbështetjen e saj në gjithë Francën dhe doli e para në gjashtë rajone, kryesisht duke fituar terren nga Partia Socialiste e Presidentit Francois Hollande që doli e treta me 23.33 për qind të votave.

Një parizien, Vadim tha se Fronti Kombëtar kishte përfituar nga ndjesia e pasigurisë dhe se politikat e tij nuk ishin realiste.

“Ata nuk propozojnë zgjidhje realiste. Politikat e tyre nuk janë të lidhura me realitetin. Për fat të keq ata manipulojnë njerëzit. Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë se një ditë se do të ketë forca të tjera politike që do të hyjnë në skenën politike”.

Vetë Marine Le Pen doli si kandidatja kryesore në rajonin Nord-Pas de Calais-Picardie dhe së bashku me mbesën e vet Marion Marechal Le Pen, e kapërcyen kufirin simbolik prej 40 për qind në rajonet e tyre respektive.

Një pariziene, Muriel tah se ishte shumë e befasuar dhe e paqartë nga rezultatet dhe tha se politikanët duhet të kishin pasur dyshime për atë që ofron zonja Le Pen në kohë të vështira si sot.

“Rezultatet e sotme janë të çuditshme. Normalisht duhet të ishte e kundërta, duhet të përhapej një mesazh paqeje dhe humanizmi, por mesa duket këtu nuk po ndodh kjo dhe e pranoj që më huton ky rezultat”.

Një tjetër qytetar Jocelyn, simpatizante e Frontit Kombëtar është shumë e kënaqur me rezultatin dhe tha se ai dhe të tjerët kishin votuar për të treguar zhgënjimin e tyre me qeverinë aktuale dhe politikat e saj.

“Ndoshta ata nuk fitojnë gjashtë rajone, por nëse fitojnë në dy rajone, atëherë do të shohim se ç’do të ndodhë, do të jetë diçka pozitive. Jam i zhgënjyer, të gjithë jemi të zhgënjyer me politikat e qeverisë. Ato janë gënjeshtra dhe tani njerëzit po mendojnë për veten e tyre, po veprojnë pak me egoizëm. Ka abstenime të shumta për shkak të kësaj ndjesie dhe sepse të rinjtë nuk kanë vende pune”.

Sipas agjencisë kombëtare të statistikave, papunësia e Francës arriti në 10.2 për qind në tremujorin e tretë të këtij viti, me 2.9 milionë vetë pa punë aktualisht, shifra më e lartë në 18 vjet.

Para rezultateve të raundit të parë, partitë franceze bënë përpjekje të minutës së fundit për të reaguar ndaj forcimit të pozitës së të djathtës ekstreme. Partia Socialiste në pushtet deklaroi se do të tërhiqte kandidatët që dilnin të tretët nga raundi i tretë i zgjedhjeve.

Kjo taktikë përforcon përpjekjet për të krijuar një barrikadë kundër të djathtës ekstreme dhe për të mos u lënë përkrahësve të vet asnjë alternativë përveçse të votojnë për Partinë Republikane të ish-presidentit Nicolas Sarkozy, me shpresën për të mos lejuar fitoren e së djathtës ekstreme.

Raundi i dytë i votimeve më 13 dhjetor do të përcaktojë rezultatin përfundimtar për të gjitha partitë. Historikisht, Fronti Kombëtar ka pasur rezultate pozitive në raundin e parë por ka pasur vështirësi të ruajë epërsinë në të dytin, pasi rivalët bashkojnë forcat kundër tij.

XS
SM
MD
LG