Lidhje

Francis Tiafoe, ylli më i ri i tenisit amerikan


Në Amerikë duket se po lind një yll i ri tenisi. Ai është 16 vjeçari Francis Tiafoe. Prindërit e tij janë nga Sierra Leone dhe kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara. Ai ka fituar kampionate të rëndësishme për grupmoshën nën 18 vjeç, duke u bërë kështu lojtari i parë që e arrin një sukses të tillë, pas John McEnroe-s në vitin 1976.

Ky është vendi ku ai fillon rutinën e përditshme – në qendrën stërvitore për të rinjtë, në periferi të Uashingtonit.

Francis Tiafoe u rrit duke luajtur tenis në këtë qendër, ku dikur babai i tij punonte si mirëmbajtës.

Frank Salazar, një nga trajnerët e tij, thotë se e ka njohur djaloshin që kur ai ishte 5 vjeç.

“Ai ishte gjithmonë në fushë, tërë ditën, dhe luante me këdo që ishte i gatshëm të luante.”

Dhe ia vleu. Fitoret e tij të shumta përfshijnë një triumf në turneun prestigjioz Orange Bowl për të rinjtë në Florida, duke ndjekur hapat e legjendave të tenisit si Roger Federer, Andi Roddick, dhe John McEnroe.

Ai konsiderohej si një nga më të mirët kur mori pjesë në kampionatin francez për të rinjtë në fillim të qershorit. Megjithëse ai humbi gjatë raundit të dytë, Francic Tiafoe thotë se ajo ishte një përvojë e mrekullueshme.

“Roland Garros është me siguri një nga kampionatët më të mirë ku mund të marrësh pjesë. Është shumë bukur dhe hera e parë që kam qenë atje. Kujdesi është i pabesueshëm dhe ushqimi shumë i mirë. U kënaqa shumë.”

Ndërsa Tiafoe bëhet gati të për debutimin e tij në Wimbledon, zoti Salazar thotë se dashuria dhe zotësia e tij për lojën janë anët më pozitive të tij.

“Njëra është pasioni për lojën, që mendoj se është një nga cilësitë më të rëndësishme që ka ai. E dyta: sepse ai ka luajtur tenis për shumë vjet, dhe ka zhvilluar aftësitë e tij. Dhe së fundmi, ai gjuan me shumë shpejtësi me raketë.”

Mesatarisht, Tiafoe shpenzon rreth katër orë në ditë në fushë dhe dy orë në palestër. Ai shkon edhe në shkollë disa orë në ditë. Mund të jetë një rutinë rraskapitëse, por Tiafoe thotë se nuk e ka problem.

“Disa ditë, patjetër mendoj ‘sot nuk është dita e duhur,’ por duhet të vazhdosh përpara, sidomos sepse qëllimi im është të jem lojtar profesionist, prandaj nuk mund të kesh ditë të këqija. Çdo ditë lojtarët profesionist janë gjithnjë e më të përgatitur. Dhe duhet të arrij në atë nivel.”

Ai thotë se kur nuk luan tenis, kalon kohë me shoqërinë dhe me mentorin e tij Misha Kouznetsov, traineri i tij që kur ishte 8 vjeç.

Tiafoe thotë se merr frymëzim nga mamaja e tij, babai dhe vëllai binjak të cilët i kanë mësuar vlerën e punës dhe modestisë në jetë. Ai ka qenë njëherë në Sierra Leone kur ishte 8 vjeç dhe ka kujtime të bukura.

“Takova të gjithë familjen, kushërinjtë; nuk e dija se kisha aq shumë kushërinj. Ishte mirë të shihja atë vend, të shkoja atje dhe të shihja se ku ishin prindërit e mi kur ishin të rinj.”

Edhe pse ai origjinën e ka nga Sierra Leone, Tiafoe është amerikan. Ai thotë se ëndrra e tij është që një ditë të marrë pjesë në kampionatin aamerikan të tenisit.

XS
SM
MD
LG