Lidhje

Trump riposton videot, reagojnë ligjvënësit britanikë


Ligjvënësit britanikë reaguan me zemërim të mërkurën lidhur me ripostimin nga presidentit Donald Trump të disa videove anti-myslimane të postuara fillimisht nga një udhëheqëse britanike e ekstremit të djathtë, e cila është dënuar më parë për gjuhën e urrejtjes.

Disa ligjvënës i bënë thirrje Kryeministres Theresa May të anulojë një "vizitë pune" të planifikuar nga presidenti Trump për vitin e ardhshëm.

"Ai nuk është aleat ose mik i yni", tha ligjvënësi laburist David Lammy, i cili shtoi se presidenti i SHBA nuk është i mirëpritur në Britani.

Zëdhënësi i Kryeministres May tha se zoti Trump "gaboi" me ripostimin e videove. "Britanikët kundërshtojnë në shumicë të madhe retorikën plot paragjykime të së djathtës ekstreme, e cila është antiteza e vlerave që ky vend përfaqëson - mirësjellje, tolerancë dhe respekt. Është gabim që presidenti e bëri këtë," tha ai.

Edhe politikanët britanikë që normalisht janë pro zotit Trump e kritikuan Presidentin amerikan për ripostimin e videove të zonjës Jayda Fransen, nënkryetare e grupit të ekstremit të djathtë anti-emigrant “Britania e Para”, e cila kërkon kthimin e "vlerave tradicionale britanike" dhe fundin e "islamizimit."

Ripostimet e videove u bënë të mërkurën në mëngjes. Zoti Trump ripublikoi së pari një video të paverifikuar që pretendon se tregon emigrantë muslimanë duke rrahur një djalë holandez me paterica. Pak çaste më vonë, presidenti vendosi një video të dytë, e postuar fillimisht nga Fransen, që pretendon të tregojë një "mysliman" duke shkatërruar një statujë të Shën Mërisë.

Një postim i tretë shoqërohet me mesazhin: "Turma islamike shtyn djalin adoleshent nga çatia dhe e rreh për vdekje!"

Fransen ka pasur disa përplasje me policinë për gjuhën e urrejtjes, ashtu si edhe udhëheqës të tjerë të grupit Britania e Para, të cilët janë akuzuar për provokime fetare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG