Lidhje

Fuqitë botërore në Londër për bisedime mbi të ardhmen e Libisë pas Moamar Gadafit


Fuqitë botërore në Londër për bisedime mbi të ardhmen e Libisë pas Moamar Gadafit
Fuqitë botërore në Londër për bisedime mbi të ardhmen e Libisë pas Moamar Gadafit

Diplomatë të fuqive botërore janë mbledhur në Londër në përpjekje për të hartuar të ardhmen politike të Libisë pa Moamar Gadafin.

Pjesëmarrësit në konferencën e sotme u zotuan të vazhdojnë sulmet ajrore për të zbatuar rezolutën e Kombeve të Bashkuara, e cila autorizon përdorimin e forcës për të mbrojtur popullsinë civile.

Duke premtuar të udhëheqë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të ndihmuar libianët, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon bëri thirrje që t’i jepet fund luftimeve mes forcave kryengritëse dhe besnikëve pro qeverisë së Moamar Gadafit.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton tha se, nëpërmjet sulmeve ajrore, fuqitë botërore kanë parandaluar një masakër dhe kanë shkatërruar fuqinë ushtarake të kolonel Gadafit. Ajo shtoi se sulmet ajrore do të vazhdojnë deri sa zoti Gadafi të zbatojë rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

Kryeministri britanik, David Cameron u ankua se forcat besnike të zotit Gadafi po kryejnë "sulme të rënda" kundër civilëve në qytetin e Misratas.

Rreth 40 ministra të jashtëm marrin pjesë në konferencë, e cila synon të gjejë një plan për largimin nga pushteti të zotit Gadafi. Një numër shtetesh arabe janë ftuar të marrin pjesë, përfshirë edhe përfaqësuesit e Lidhjes Arabe dhe të Bashkimit Afrikan.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton u takua po sot me të dërguarin e opozitës libiane, Mahmoud Jibril.

Një zyrtar i lartë i administratës Obama tha sot se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë së shpejti përfaqësuesin e tyre në Libi për t’u takuar me udhëheqësit e kryengritësve. Zyrtari në fjalë tha se diplomati amerikan Chris Stevens do të shkojë në bazën e kryengritësve Bengazi për të vendosur lidhje më të mira me grupet, që përpiqen të përmbysin nga pushteti zotin Gadafi. Ky zhvillim nuk përbën njohje zyrtare të opozitës.

XS
SM
MD
LG