Gjashtë fuqi botërore i kanë bërë thirrje Iranit të hyjë në bisedime për programin e tij bërthamor pa kushte.
Në një takim të agjencisë së OKB-së për energjinë bërthamore sot në Vjenë, grupi i njohur si P5+1 tha se procesi duhet të jetë një dialog serioz me që të jape rezultate konkrete. Perëndimi është i shqetësuar se Irani po zhvillon armë bërthamore.Irani thotë se ambicjet e tij bërthamore janë paqësore.
Grupi i fuqive botërore përfshin pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Shtetet e Bashkuara, Kinën, Rusinë, Francën dhe Britaninë – plus Gjermaninë.
Deklarata riafirmon mbështetjen e një zgjidhje diplomatike. Ajo I bën thirrje gjithashtu Iranit të lejojë inspektorët e OKB-së në impiantin Parchin.
Po sot udhëheqësi supreme i Iranit Ayatollah Ali Khamenei tha se mirëpret deklaratat e presidentit Obama në fillim të javës se ka ende kohë për të zgjidhur çështjen bërthamore në mënyrë diplomatike.
Izraeli beson se një Iran me armë bërthamore do të jetë kërcënim për ekzistencën e tij dhe ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime ushtarake për të ndaluar aktivitetin bërthamor të Iranit.
Ekspertët bërthamorë të agjencisë së OKB-së kanë identifikuar Parchinin si vendin ku dyshohet se po testohen komponentë të armës bërthamore.
Irani i mohon akuzat se po përpiqet të prodhojë një armë bërthamore dhe thotë se aktivitetet e tij janë vetëm për energji ose për synime kërkimore.