Lidhje

Fushata elektorale në veri të Shqipërisë


Fushata elektorale në veri të Shqipërisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:37 0:00

Në katër qarqet veriore të Shqipërisë, në atë të Shkodrës, Kukësit, Lezhës dhe Dibrës, në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit do të votohet për 27 deputetë të parlamentit shqiptar. Vëzhgues të pavarur pohojnë se, deri tani, partitë politike po zhvillojnë një fushatë të qetë, po ndërkohë janë vërejtur edhe problematika gjatë zhvillimit të saj. Marjan Lukani, i cili drejton Qendrën rinore “Arka” në Shkodër, thotë se gjatë takimeve të të rinjve me temë “Unë votoj”, organizuar me kandidatët për deputetë të forcave të ndryshme politike, është vërejtur se, në disa raste, nuk ka përputhje mes programeve të tyre dhe shqetësimeve të komuniteteve lokale.

“Kjo vjen jo shumë për fajin e kandidatëve, sa për fajin e subjekteve politike që i kanë shpallur shumë vonë kandidatët e tyre, vetëm një muaj e pak ditë para fushatës elektorale. Kjo ka bërë që kandidatët të gjenden të papërgatitur, pa një plan veprimi për të hyrë në fushatë dhe pa një strategji të mirë se çfarë mund të bëhet për zhvillimin e komunitetit ku ata kandidojnë”, thotë ai.

Drejtuesi i Qendrës për progres rinor në Kukës, Rifat Demalija, thotë se Qarku i Kukësit, me rreth 84 mijë banorë, ku përfshihen bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë, është zona ku gjatë viteve të fundit ka patur ndryshime të mëdha demografike për shkak të emigrimit të madh, kryesisht të të rinjve. Megjithatë, thotë ai, as forcat politike dhe as kandidatët e tyre nuk po paraqesin politika të qarta për të frenuar këtë fenomen.

“Gjatë fushatës elektorale, përveç retorikës për zgjidhjen e këtij fenomeni, për frenimin e emigracionit, nuk ka politika të qarta, por ka më shumë përdorim të të rinjve për dekorim gjatë fushatës elektorale. Shohim shumë të rinj që qëndrojnë në zyrat elektorale të partive të ndryshme politike në funksion të periudhës zgjedhore. Për një muaj bëhen militantë të një partie dhe, pas kësaj periudhe, ata nuk merren në konsideratë”, thotë zoti Demalija.

Qendra për progres rinor në Kukës ka realizuar një studim në lidhje me problematikat dhe abuzimet e vërejtura gjatë fushatës elektorale. Sipas këtij studimi, është vërejtur se faqet zyrtare, në platformat sociale të disa institucioneve publike, po keqpërdoren nga vetë zyrtarët gjatë orarit të punës për qëllime politike të fushatës elektorale. Gjithashtu, një pjesë e administratës, përfshirë edhe kryetarë të bashkive, brenda orarit të punës kanë marrë pjesë në prezantimin e kandidatëve apo si koordinatorë të fushatës.

“Kryetari i bashkisë në ditën që zgjidhet duhet t’i shërbejë të gjithë qytetarëve, pa dallim politik, nëse i përkasin një partie apo janë pa parti. Gjatë fushatës elektorale ne vërejmë se ata i përkasin vetëm një partie, që do të thotë se ne kemi humbur kryetarët e bashkive. Pra, ne qeverisemi në nivel vendor nga kryetarë partie dhe jo nga kryetarë të bashkive”, tha ai.

Fillimi i fushatës elektorale, sipas drejtuesit të Qendrës rinore “Arka” në Shkodër, Marjan Lukani, i ka gjetur disi të çorientuara forcat politike pjesëmarrëse në këto zgjedhje, gjë që është reflektuar edhe tek mbështetësit e tyre.

“Kemi parë një fushatë që, në fillimet e saj, ka qenë një luftë brenda llojit, ku konkurenca ishte më shumë brenda kandidatëve të të njëjtit subjekt se sa konkurenca me kandidatët e subjekteve të tjera. Pas kësaj, liderët e partive politike e kanë kuptuar këtë gabim dhe tani shikoj që kandidatët janë duke luftuar po ashtu për votën e tyre, por duke i dhënë më shumë rëndësi luftës me subjektet e tjera”, tha zoti Lukani.

Në 4 qarqet veriore të Shqipërisë, atë të Shkodrës, Lezhës, Kukësit dhe Dibrës, në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit gara zhvillohet kryesisht mes koalicionit PD+ Aleanca për Ndryshim dhe Partisë Socialite. Pas zgjedhjeve të para pluraliste, Partia Demokratike ka patur një shtrirje të gjërë në këto qarqe, por, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, ndikimi i saj ka ardhur duke rënë. Kështu, në zgjedhjet e vitit 2017 Partia Demokratike fitoi në të katër qarqet veriore 12 mandate, ndërsa Partia Socialiste 10 mandate. Gjithashtu, LSI morri tre mandate, ndërsa Partia Social Demokrate dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet morrën nga një mandat deputeti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG