Lidhje

Analistët: Fushata e zotit Romney, në vështirësi


Kandidati për president i Partisë Republikane ka marrë përsëri pozicion mbrojtës, këtë herë lidhur me komentet që ai bëri në një aktivitet privat për sigurimin e fondeve për fushatën e tij disa muaj më parë. Ai tha se përkrahësit e rivalit të tij demokrat, presidentit Obama, varen tek qeveria dhe e shohin veten si viktima. Analistët politikë thonë se ky është më i fundit i hapave të gabuar të fushatës Romney, në një pikë kyçe të garës presidenciale.

Këto komente zoti Romney i bëri në një takim privat me donatorë në muajin maj në Florida dhe ato u publikuan përmes një videoje të regjistruar në fshehtësi dhe që ra në duart e revistës Mother Jones.

Zoti Romney u tha donatorëve se 47 për qind e votuesve do të votojnë patjetër për zotin Obama. Pastaj ai i karakterizoi këta votues si njerëz që varen tek ndihmat qeveritare dhe që e shohin veten si “viktima”.

“47 për qind e votuesve janë me të, ata të cilët varen tek qeveria dhe që e shohin veten si viktima, se qeveria ka përgjegjësinë të kujdeset për ta, se atyre u takon kujdesi shëndetësor, ndihmat ushqimore, për strehimin, quajeni si të doni.”

Në video, zoti Romney po ashtu shihet duke komentuar për Lindjen e Mesme, duke u thënë donatorëve se palestinezët janë të përkushtuar për eliminimin e Izraelit dhe se atyre nuk u intereson paqja.

Komentet e zotit Romni morën një përgjigje të ashpër nga fushata e zotit Obama. Në një deklaratë të tyren thuhej se komentet e zotit Romney janë “tronidtëse”dhe se kandidati republikan kishte folur me përbuzje për gjysmën e elektoratit.
Zoti Romni komentoi për videon në një konferencë shtypi.

“Mund të them se nuk jam shprehur me elegancë. Unë i jam përgjigjur atje thjesht një pyetjeje dhe jam i sigurtë se mund të isha shprehur më qartë dhe në mënyrë më të efektshme.”

Analistët politikë thonë se këto komente mund ta lenë në pozicion inferior gjatë fushatës për një farë kohe zotin Romney.

Analisti Scott Faulkner është republikan, i cili ka punuar me presidentin Ronald Reagen dhe udhëheqësit republikanë të Kongresit gjatë viteve ’90.

“Këto komente kanë për ta dëmtuar ish-guvernatorin e Massachusetsit Mit Romney për disa aryse dhe e para është se njerëzit i shqetëson ekonomia dhe jo ndihma sociale. Më e mira që do të ndodhte, është se do ta largonte atë nga vija e parë e garës dhe më e keqja do të ishte se komentet mund të përdoren vazhdimisht në reklamat e shumta që jepen në periudhën para zgjedhjeve.”

Analistët thonë se zoti Romney ndodhet tani në mesin e një dy javëshi aspak të mirë për fushatën e tij, që filloi me një rritje të vogël në anketimet e publikut menjëherë pas kuvendit republikan në Tampa.

Pastaj zoti Romney kritikoi mënyrën se ai administrata Obama trajtoi protestat anti-amerikane në Lindjen e Mesme, sidomos ato ndaj ambasadës amerikane në Egjipt. Edhe disa republikanë ishin të mendimit se ato nuk ishin në kohën e duhur, duke patur parasysh vdekjen e 4 amerikanëve, mes tyre ambasadori amerikan në Libi Chris Stevens, pas një sulmi ndaj konsullatës amerikane në Benghazi.

Analisti me eksperiencë të gjatë Tom DeFrank i gazetës New York Daily News thotë se këto çështje e kanë larguar zotin Romney nga thelbi i mesazhit të fushatës së tij lidhur me rimëkëmbjen e ekonomisë amerikane.

“Unë mendoj se ditët e fundit nuk kanë qenë aspak të mira për fushatën e zotit Romney. Ai la përshtypjen e një oportunisti, të një njeriu që nxitohet të kritikojë pa u njohur më parë me faktet. Kjo mënyrë reagimi e pamenduar mirë ka treguar mungesë mençurie nga ana e tij.”

Analisti për strategjitë politike Mathew Dowd tha në emisionin televiziv “Good Morning America” se rasti i parë kur zoti Romni të rishpallë pikëpamjet e tij do të vijë me debatin e parë të tre debateve presidenciale muajin e ardhshëm.

“Unë mendoj se debati i parë, më 3 tetor, do të jetë mundësia e vetme kur zoti Romni do të korrigjojë gabimet që ka bërë dhe të bëjë përparim në 30 ditët e fundit të fushatës që i kanë mbetur.”

Anketimet e publikut tregojnë se votuesit vazhdojnë të pëlqejnë më tepër Presidentin Obama se sa zotin Romney.

Analisti Scot Faulkner thotë se kjo mbetet sfida më e rëndësishme për kampin e zotit Romney në javët e fundit të fushatës.

“Amerikanët duan një udhëheqës, por një udhëheqës që ata mendojnë se i kupton problemet e tyre. Në njëfarë kuptimi amerikanët kërkojnë një president, i cili jo vetëm të kandidojë për president, por ta shikojnë si një fqinjin e tyre. Dhe në se nuk do të mund të lidhen me të, kjo do ta dëmtojë atë.”

Anketimet më të fundit tregojnë se Presidenti Obama kryeson me pak diferencë garën me zotin Romney, që nga koha e Kuvendit të demokratëve si në shkallë kombëtare, edhe në në shtetet ku gara është e ngushtë, ku të dy kandidatët po zhvillojnë fushatë të ashpër.
XS
SM
MD
LG