Lidhje

Siria, pritet të mbizotërojë në takimin e G8


Presidenti amerikan Barak Obama ndodhet në Irlandën ne Veriut ku po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të 8 vendeve më të industrializuara, i cili pritet të mbizotërohet nga vendimi i Shteteve të Bashkuara për armatosjen e kryengritësve sirianë.

Takimi, që do të vazhdojë edhe nesër, mbahet në vendpushimin pranë liqeneve Lok Ern, dhe mbledh udhëheqësit e ekonomive më të zhvilluara të botës.

Presidenti Obama ka gjithashtu në plan të takohet sonte me presidentin rus Vladimir Putin për bisedime mbi konfliktin në Siri. Zoti Putin kundërshton vendimin e Shteteve të Bashkuara për armatosjen e kryengritësve sirianë.

Pas një fjalimi që mbajti sot paradite, Presidenti Obama u ul për diskutime jozyrtare me udhëheqësit evropianë para fillimit të bisedimeve zyrtare të samitit. Shtëpia e Bardhë tha se presidenti synon të informojë udhëheqësit e tjerë rreth planeve amerikane për Sirinë.

Po sot, zoti Obama u takua me Kryeministrin britanik David Cameron dhe dy udhëheqësit vizituan një shkollë të integruar në qytetin Eniskillen aty pranë.
Në takimin e G8-s do të diskutohet gjithashtu mbi përpjekjet për të nxitur ekonomitë e ngadalësuara të botës.
XS
SM
MD
LG