Lidhje

Koferencë e donatorëve për Gazën


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry niset nesër për në Kairo për të marrë pjesë në konferencën e donatorëve për të rindërtuar pjesë të Rripit të Gazës të shkatërruara gjatë 50 ditë luftimesh mes Hamasit dhe Izraelit.

Zyrtarët palestinezë thonë se do të duhen më shumë se 7 miliard dollarë për të riparuar dëmet e luftës në Gaza që shkatërroi të vetmin central elektrik së bashku me 15 mijë shtëpi. Por përparimi i vogël nga Hamasi dhe Izraeli në respektimin e premtimeve që lidhen me armëpushimin vë në pikëpyetje nëse donatorët do të paguajnë për të rindërtuar atë që mund të shkatërrohet përsëri.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki thotë se zoti Kerry kërkon rifillimin e bisedimeve për një zgjidhje me dy shtete.

“A do të krijohet mundësia e diskutimit të kësaj në konferencë? Padyshim dhe pres që zoti Kerry të zhvillojë bisedime anësore, por që nuk janë fokusi kryesor. Palët duhet të rimblidhen për të diskutuar këtë çështje të ndarë nga konferenca.”

Situata nuk është premtuese për rikthim në tryezën e diskutimeve pasi dy palët kanë ashpërsuar qëndrimet që nga armëpushimi. Presidenti palestinez Mahmoud Abbas kërkon njohje më të gjerë në Kombet e Bashkuara.

“Është një pushtim që duhet të marrë fund tani. Është një popull që duhet çliruar menjëherë. Ora e pavarësisë së Palestinës ka mbërritur.”

Izraeli thotë se një koalicion qeveritar palestinez forcon Iranin e mbështetur nga Hamasi në një kohë kur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thotë se shumë udhëheqës arabë ndajnë shqetësimet izraelite të sigurisë.

“Pas dekadash që kanë parë Izraelin si armikun e tyre, shtete të rendësishme në botën arabe po e pranojnë se ne së bashku përballemi me të njëjtat rreziqe. Kjo nënkupton një Iran me armë bërthamore dhe grupet islamiste që po fitojnë territore në botën Sunni”.

Duke përfituar nga roli që ka në Siri, Irani e ka përdorur konfliktin në Gazë për të forcuar lidhjet me Hamasin, thotë Akbar Ahmed i Universitetit Amerikan.

“Situatën në Gazë, Irani e sheh si një mundësi sepse vende të tjera arabe si Egjipti dhe Arabia Saudite që tradicionalisht kanë mbështetur palestinezët, nuk e bënë këtë për arsye të ndryshme gjeopolitike, gjë që i dha një shans Iranit.”

Hamasi nuk e ka më mbështetjen e Kairos, thotë analisti Steve Heydemann i Institutit Amerikan të Paqes.

“Si një degë e Vëllazërisë Myslimane, Hamasi mbetet nën një presion të madh si rezultat i vlerësimit dhe margjinalizimit të organizatës, kryesisht në Egjipt por dhe gjetkë.”

Izraeli ka rënë dakord mbi procedurat për kalimin e furnizimeve në Rripin e Gazës dhe zyrtarët amerikan thonë se shpresojnë që Izraeli të kontribuojë gjithashtu me materiale ndërtimi. Duke u bërë thirrje të gjitha qeverive që mund të luajnë rol, administrata e presidentit Obama nuk e ka lidhur aspektin e ndihmave me përparimet e një armëpushimi të qendrueshëm.

XS
SM
MD
LG