Lidhje

Këshilli i Sigurimit, thirrje për armëpushim në Lindjen e Mesme


Këshilli i Sigurimit i OKB-së bëri thirrje për armëpushim në konfliktin mes izraelitëve dhe palestinezëve, ndërsa sulmet ajrore izraelite në Gazë vazhduan për të pestën ditë me radhë.

Përmes një deklarate të shtunën, Këshilli me 15 anëtarë bëri thirrje për pakësimin e dhunës, vendosjen e qetësisë dhe rikthimin në fuqi të armëpushimit të vitit 2012 mes palëve, me ndërmjetësimin e Egjiptit.

Ky është reagimi i parë zyrtar ndaj krizës nga Këshilli i Sigurimit, që ka qenë i ndarë lidhur me konfliktin izraelito-palestinez.

Zyrtarë palestinezë thanë dje se numri i të vrarëve nga ofensiva e Izraelit ka arritur në rreth 130 vetë, ndërsa Izraeli ka vazhduar sulmet ndaj objektivave që mendohet të jenë strategjike për Hamasin dhe grupe të tjera militante.

Sipas njoftimeve nga Gaza, shumë nga viktimat janë civilë.

Hamasi dhe militantë të tjerë kanë hedhur qindra raketa në Izrael, por ky i fundit thotë se nuk ka patur viktima izraelite në saje të sistemit të interceptimit të raketave, që është financuar pjesërisht nga Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG