Lidhje

Të zhvendosurit në Gazë të pasigurtë për të ardhmen


Ushtria izraelite u ka thënë banorëve të disa lagjeve në Gazë se mund të rikthehen në banesa. Ky njoftim u pa si sinjal se operacionet për shkatërrimin e tuneleve të fshehta për futjen në Izrael, kanë përfunduar në këto pjesë të Gazës. Megjithatë shumë palestinezë thonë se nuk ndjehen të sigurtë. Korrespondenti Scott Bobb njofton nga Beit Lahiya në Gazën veriore:

Është paradite në Beit Lahiya të Gazës veriore. Megjithëse është ditë pune, ky duket si qytet fantazëm. Pjesa më e madhe e banorëve janë larguar për t’i shpëtuar ofensivës izraelite.

Ofensiva kishte për synim të shkatërronte tunelet dhe depot e raketave të Hamasit, organizata që kontrollon Gazën.

Banorët u njoftuan të largoheshin nga zona për t’u mbrojtur. Por disa prej tyre, si Hasan Gabayen, qëndruan:

“Do të qëndrojmë në shtëpitë tona për tokën tonë, për Allahun. Po përpiqemi të mbrojmë njerëzit që janë këtu. Nuk do të largohemi, veçse si martirë”.

Ai thotë se disa familje janë kthyer, pasi Izraeli bëri njoftimin. Por pjesa më e madhe erdhën vetëm për të marrë plaçkat dhe ikën prapë.

Shumë prej tyre janë strehuar në objekte si kjo shkollë e administruar nga OKB-ja në Gazë. Tani aty ka 2 mijë e 100 banorë. Zyrtarët thonë se askush nuk do të largohet. Eman al-Kahlot, i cili ndodhet këtu me familjen me 18 anëtarë, shpjegon:

“Nuk i besojmë ato që thotë Izraeli. Të shtunën një familje u largua prej këtu dhe u kthye në banesë. Izraelitët bombarduan dhe familja u vra. Izraelitët thonë një gjë, por bëjnë një tjetër”.

Banorët thonë se objektet janë të mbushura mbi kapacitet, por rezervat mjaftojnë për të mbijetuar. Megjithatë, edhe këtu nuk ka siguri. Disa shkolla të OKB-së janë goditur duke lënë të vrarë dhjetëra vetë.

“Për mua nuk ka të ardhme. Shpresoj se fëmijët tanë do të kenë një ditë të drejta, do të kenë liri si në vende të tjera. Sot për sot nuk kemi asgjë”.

Mahmud al-Atar shprehet po aq i pashpresë:

“Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Po qëndrojmë këtu. Ndoshta do të vdesim, nuk i dihet, por do ta kem për nder. Nuk do të shkojmë në shkollat e OKB-së pasi edhe atje njerëzit po vdesin. Më mirë të vdes në shtëpi”.

Disa banorë nuk kanë më ku të kthehen. Për të tjerë, çdo armëpushim sjell probleme të tjera të rindërtimit dhe rehabilitimit.

XS
SM
MD
LG