Lidhje

Konkurrencë SHBA-Rusi për tregun evropian të gazit


Gjatë vizitës në Poloni javën e kaluar, Presidenti Donald Trump premtoi shtimin e eksportit të gazit natyror amerikan në formë të lëngëshme drejt Evropës Qendrore, duke sfiduar dominimin rus të tregut. Shumë vende evropiane e akuzojnë Moskën se po përdor energjinë si mjet politik. Analistët thonë se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po shkojnë drejt përplasjes lidhur me furnizimin e rajonit me energji.

Presidenti Trump e renditi furnizimin me gaz në krye të axhendës së bisnesit në Poloni.

“Amerika është e gatshme të ndihmojë me energji Poloninë dhe vende të tjera evropiane që ato të mos mbeten kurrë peng i një furnizuesi të vetëm.”

Deri tani, ky furnizues është Rusia. Firma shtetërore ruse Gazprom ia mbylli tubacionet e furnizimit me gaz Ukrainës në vitin 2015, duke i hequr Kievit një burim të madh të ardhurash dhe duke penguar furnizimin e Evropës Lindore. Marek Matraszek është lobues me firmën “CEC Government Relations”.

“Është një shtyllë kryesore e politikës së jashtme ruse – përdorimi i gazit dhe energjisë si mjet për të vendosur dominimin mbi Evropën Qëndrore.”

Dërgesa e parë amerikane e gazit të lëngshëm mbërriti në Poloni muajin e shkuar, ndërsa vendi shpreson të bëhet qendër shpërndarëse.

Samiti i Nismës së Tre Detrave në Varshavë mblodhi të enjten sëbashku udhëheqës nga disa vende evropiane dhe Presidentin Trump.

Ai premtoi se Shtetet e Bashkuara nuk do ta përdorin kurrë energjinë si mjet politik. Analisti për energjinë Grzegorz Malecki, ish drejtues i agjencisë polake të inteligjencës, thotë se Rusia do të vëzhgojë me interes.

“Nëse vazhdohet me këtë furnizim të ri gazi dhe ndërtohet infrastruktura, kjo mund ta bëjë Rusinë të ndryshojë qendrim. Qeveria polake ndoshta po shpreson për këtë. Rusia mund të ndryshojë politikat ndaj Polonisë lidhur me energjinë.”

Por Rusia ka plane. E planifikuar të hapet në vitin 2019, tubacioni “Nord Stream 2” do të dyfishojë kapacitetin për të eksportuar gaz drejtpërdrejt në Gjermani, duke anashkaluar Ukrainën. Shtetet e Evropës Lindore kërkojnë bllokimin e këtij projekti.

Nëse duam që Amerika të furnizojë me gaz të lëngshëm Evropën Qendrore, ne po ashtu duam që Uashingtoni të tregohet i rreptë me Rusinë për “Nord Stream 2”, thotë zoti Marek Matraszek.

Nëse arrihet marrëveshja për gazin amerikan, analistët në Uashington thonë se ajo do të ketë ndikim të gjerë në marrëdhëniet amerikano-ruse. John Hannah është me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.

“Kjo mund të realizohet shumë shpejt dhe në një mënyrë të tillë që të na japë epërsi mbi Putinin. Kjo mund t’i bëjë rusët të reagojnë më me agresivitet jo vetëm në Evropë por edhe kundër Shteteve të Bashkuara.”

Presidenti Trump mbetet optimist për marrëdhëniet me Presidentin Putin, por politikat në zhvillim për gazin në Evopë mesa duket do të mbeten burim fërkimesh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG