Lidhje

Gjeorgji, zi kombëtare për viktimat e përmbytjeve


Presidenti i Gjeorgjisë Giorgi Margvelashvili e shpalli ditën sotme zi kombëtare për të nderuar viktimat e shkaktuara nga vërshimet në kryeqytetin e vendit, Tbilisi.

Zyrtarët thanë se të paktën 12 persona humbën jetën dhe 24 të tjerë figurojnë të humbur, pasi lumi Vere doli nga shtrati, duke gdhirë dita e dielë, pas shirave të rrëmbyer që zgjatën për 24 orë. Vërshimet përmbytën rrugë dhe ndërtesa, duke lënë mijëra banorë pa shtëpi dhe pa energji elektrike.

Vërshimet po ashtu dëmtuan një pjesë të madhe të kopështit zoologjik të Tbilisit, duke bërë që dhjetra kafshë të egra, si luanë, arinj, xhaguarë dhe hipopotamë të dilnin nga kafazët, duke ulërirë nëpër rrugët e qytetit të shkatërruar.

Një hipopotam u gjet në një rrugë të përmbytur të qytetit, para një dyqani dhe autoritetet i dhanë qetësues, për ta çuar përsëri në kafazin e tij.

Dëshmitarët thanë se disa kafshë i vranë, pasi nuk mundën të kapen.

Kreu i Kishës Ortodokse të Gjeorgjisë, Patriarku Ilia II, e cilësoi humbjen e jetës së njerëzve dhe kafshëve si “ një tragjedi të tmerrshme”.

Ai fajësoi për vërshimet komunistët e periudhës së Luftës së Ftohtë, për të cilët ai tha se e kishin ndërtuar Kopështin Zoologjik me paratë e fituara nga shkatërrimi i kishave dhe manastireve, si dhe nga shkrirja e kambanave. Prandaj tha ai, Kopështi Zoologjik nuk mund të qëndrojë më në vendin e tanishëm, por duhet të ndërtohet gjetkë.

XS
SM
MD
LG