Lidhje

Takim i ministrave të Shtatëshes në Gjermani


G7 Summit - Leubeck
G7 Summit - Leubeck

Ministrat e jashtëm të Grupit të Shtatëshes thanë sot në Gjermani se sanksionet perëndimore kundër Rusisë mund të hiqen vetëm pasi Moska të përmbushë marrëveshjen e armëpushimit të nënshkruar në Minsk në muajin shkurt. Sanksionet nuk janë qëllim në vetvete thuhej në një deklaratë të ministrave.

Grupi i Shtatë ministrave të jashtëm i mbledhur sot në Lybek të Gjermanisë kishte si temë diskutimesh një sërë çështjesh: Marrëveshjen bërthamore me Iranin, konfliktet në Libi, Jemen, Siri dhe Ukrainë si dhe përpjekjet për të frenuar grupe ekstremiste si Boko Haram dhe Shteti Islamik.

Në një komunikatë të përbashkët, ministrat thanë se sanksionet perëndimore kundër Rusisë mund të hiqen vetëm pasi Moska të përmbushë marrëveshjen e armëpushimit të nënshkruar në Minsk në muajin shkurt dhe të respektojë sovranitetin e Ukrainës.

Sanksionet nuk janë qëllim në vetvete; kohëzgjatja e tyre duhet të jetë e lidhur qartë me zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Minskut dhe respektimin e sovranitetit të Ukrainës nga Rusia thuhej në deklaratën e ministrave.

Ministrat e mirëpritën faktin që Ukraina dhe Rusia po ndërmarrin hapat e para drejt zbatimit të armëpushimit, por theksuan nevojën "për progres të ndjeshëm dhe të shpejtë."

Ministri i jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier tha se synimi i Perëndimit nuk është izolimi i Rusisë.

"Nuk ka interes nga ana ime, ose nga dikush tjetër, me aq sa di, për të ndjekur një politikë të kontrollit apo të izolimit të Rusisë. Ne do të dëshironim shumë që të krijoheshin kushtet në të cilat Rusia do të mund të ishte sërish pjesë e G8-s dhe të merrte pjesë në takime," tha ministri i Jashtëm gjerman.

Ministrat u bënë thirrje palëve në konfliktin e Ukrainës të përmbushin marrëveshjet e Minskut. Rusia, thanë ata, duhet të përdorë për këtë qëllim "ndikimin e konsiderueshëm" që ka mbi separatistët.

XS
SM
MD
LG