Lidhje

Gjendja e vështirë e pensionistëve në Kosovë


Gjendja e vështirë e pensionistëve në Kosovë
Gjendja e vështirë e pensionistëve në Kosovë

Një pjesë të tyre mund t’i takosh në klubin e pensionistëve në Prishtinë, tek kalojnë kohën dhe hallet në pritje të një dite më të mirë. Ata që kanë punuar deri në moshën e pensionimit të tyre, marrin 80 euro në muaj, ndërsa ata që nuk kanë punuar gjatë jetës së tyre marrin një shumë prej 45 eurosh në muaj. Kjo shumë e pensionit aktual, thotë Asllan Asllani, nga organizata e pensionistëve dhe invalidëve të punës, është e pamjaftueshme për të siguruar madje edhe ekzistencën fizike.

“Mbase mosha e bënë të veten, po ashtu nuk kemi pension i cili kishte për të mbuluar kërkesat e pensionistëve, së paku për një jetë relativisht të mirë. Kërkohet ngrënia, pija, rrobat dhe medikamentet. Pensioni prej 80 euro nuk mjafton për të mbuluar kërkesat e një pensionisti”, tha zoti Asllani.

Qeveria e Kosovës në largim në fillim të muajit janar vendosi rritjen e pagave për kategoritë që paguhen nga buxheti i Kosovës, ndërsa kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi paralajmëroi rritje të pensioneve.

“Gjithashtu, me hyrjen në fuqi të ligjit për pensionet gjithçka do të jetë e rregulluar dhe rritja e pagave edhe për pensionistët do të hyjë në fuqi me hyrjen në fuqi të ligjit për pensionet”, tha kryeministri Thaçi.

Por, zoti Asllani thotë se ligji i paralajmëruar nuk merr parasysh kërkesat e pensionistëve.

“Ne kemi kërkuar që pensionet të startojnë me 40 për qind e mesatares të të ardhurave personale të vitit të kaluar dhe të përcillen me përqindjen e inflacionit. Këta nuk e kanë marr parasysh dhe është duke u përgatitur një skemë pensionale, e cila nuk mund të quhet ligj. Ne mendojmë që mas 11 vjetëve që u çliruam prej Serbisë, Kosova ka resurse për me pas jetë më të mirë pensionistët dhe të tjerët

Zoti Asllani thotë se një numër i konsiderueshëm i pensionistëve vështirë se mund të presë ndonjë ndryshim pozitiv.

“Shumica e pensionistëve thonë se "nuk kemi jetë të gjatë për me prit një pension meritor" dhe shprehin një dëshirë për të dal në rrugë në moshën që e kanë. Nuk janë në gjendje për të dal në rrugë dhe për të bërë protesta, megjithatë, e shprehin dëshirën me dal për të kërkuar të gjitha kërkesat tona”

Kosova kishte një fond pensionesh, i cili është tërhequr nga administrata serbe në përfundim të luftës në Kosovë. Zoti Asllani thotë se kjo çështje duhet të jetë pjesë e bisedimeve të paralajmëruara me Serbinë.

“Nuk duhet të hyhet në bisedime me Serbinë pa na pranuar si shtet, pa kërkuar falje për gjenocidin që e ka bërë. Por, nëse hyhet ajo punë nuk është që unë e vendosi, patjetër duhet biseduar edhe për pensionet tona që na kanë mbetur në Serbi. Një prej çështjeve të cilat duhet biseduar duhet të jenë edhe pensionet”.

Askush nuk e di me saktësi numrin e pensionistëve, meqënëse vendi nuk ka pasur regjistrim të popullsisë për 30 vjet, por vlerësohet se në Kosovë ka mbi 120 mijë pensionistë, mbijetesa e të cilëve vështirë se mund të sigurohet me skemën aktuale të pensioneve.

XS
SM
MD
LG