Lidhje

Gjenerali Petraeus lë Afganistanin për të drejtuar Agjencinë Qendrore të Zbulimit


Gjenerali Petraeus lë Afganistanin për të drejtuar Agjencinë Qendrore të Zbulimit
Gjenerali Petraeus lë Afganistanin për të drejtuar Agjencinë Qendrore të Zbulimit

Gjenerali David Petraeus mori një medalje nga presidenti afgan Hamid Karzai të henën, në ditën e tij të fundit në Kabul. Zoti Karzai dha medaljen të njëjtën ditë që mori pjesë në funeralin e një prej këshilltarëve të tij të lartë, Jan Mohammed Khan, i cili u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij në kryeqytetin afgan të dielën nga dy rebelë që duket se janë dërguar nga talebanët.

Ky ishte atentati i dytë i këtij lloji në më pak se një javë. Vëllai i Hamid Karzait, Ahmad Wali Karzai, shef i këshillit provincial të Kandaharit, njeriu më i fuqishëm në Afganistanin jugor, u vra në shtëpinë e tij nga një roje sigurie. Në të dyja rastet, atentatorët u vranë nga forcat e sigurisë.

Këto atentate sëbashku me sulmin e muajit të kaluar ndaj hotelit Interkontinental në Kabul, ishin një përpjekje nga talebanët për të treguar aftësitë tyre luftarake. Gjatë periudhës së komandës së gjeneralit Petraeus në Afganistan, pati një mësymje të forcave të NATO-s që patën sukses në goditjen e talebanëve në fushëbetejë, duke u hequr atyre kontrollin ndaj disa rajoneve.

Gjatë ceremonisë së ndryshimit të komandës të henën, pasuesi i zotit Petraeus, lejtnant gjenerali John Allen, tha se ka në plan të vazhdojë presionin ndaj talebanëve.

“Qëllimi im është të ruajmë trysninë e kësaj fushate, të cilën kemi ndërmarrë. Do të vazhdoj të mbështesë në çdo lloj menyre rekrutimin, trajnimin, përgatitjen dhe paisjen si dhe aftësimin e forcave kombëtare afgane të sigurisë.”

Trajnimi i ushtrisë afgane dhe forcave të sigurisë është prioritet për misionin e udhëhequr nga NATO ndërkohë që fillon tërheqjen e forcave luftarake që pritet të përfundojë deri në vitin 2014. Këtë javë, disa zona distriktesh ku ka pak aktivitete të talebanëve, ose ku arritjet e NATO-s e bëjnë të mundur tranzicionin, po kalohen nën kontrollin e forcave afgane. Por anëtarja e parlamentit afghan Fawza Koofi thotë se shpreson se tërheqja e trupave të vazhdojë në bazë të suksesit në terren dhe jo nga presioni ndërkombëtar ndaj vendeve të NATO-s.

“Tani, komuniteti ndërkombëtar flasin për një strategji daljeje nga Afganistani dhe po influencohen nga politikat e tyre të brendëshme përfshi krizën financiare. Duke përfshirë këtu zgjedhjet që po afrohen, kryesisht ato në Shtetet e Bashkuara. Nuk ka normativë arritjesh. Nuk ka masa për të vrojtuar ato që mund të ndodhin nga tani deri në vitin 2014. Druhemi se me tërheqjen e trupave, pa e përfunduar këtë luftë ashtu siç duhet dhe sjelljen e paqes së qendrueshme, situata do të përkeqësohet.”

Autoritetet afgane thonë se po zhvillojnë bisedime me elementë të caktuar talebanë për të arritur një zgjidhje politike në luftën 10 vjeçare. Zyrtarët amerikan po e mbështesin procesin por këmbëngulin se duhet të udhëhiqet nga afganët. Kjo është një qasje e ngjashme me atë që ndërmori gjenerali Petraeus në Irak për të cilën ai vlerësohet se reduktoi dukshëm nevelet e dhunës.

XS
SM
MD
LG