Lidhje

Gjermania në vështirësi prej emigrantëve


Kancelarja gjermane Angela Merkel po përballet me presion të shtuar politik për fluksin e emigrantëve që vazhdojnë të mbërrijnë. Autoritetet kërkojnë që Berlini të ofrojë më shumë mbështetje për përballimin e krizës.

Mbi 1.1 milionë emigrantë janë duke u shpërndarë në qytetet gjermane. Gjatë një takimi me Kancelaren Merkel, udhëheqësit vendorë kërkuan dyfishimin e asistencës financiare për shkollimin dhe strehimin.

((HANNELORE KRAFT, PRESIDENTE E RAJONIT VERIOR RHINE-WESTPHALIA))

“Mendojmë se ka një boshllëk të madh. Nuk shikojmë progres me numrin e madh të aplikimeve që vazhdojnë dhe shtohen, ndërsa regjistrimi zgjat shumë. Qytetarët janë të shqetësuar pasi nuk dimë çfarë njerëzish kemi këtu,” thotë Hannelore Kraft, Kancelare e landit të Rhine-Westfalisë.

Kancelarja Merkel arriti një marrëveshje me anëtarët e koalicionit për lehtësimin e deportimeve dhe kufizimit të së drejtës së emigrantëve për të tërhequr edhe familjarët në Gjermani.

“Duam që të integrohen ata që kanë perspektivën për të qëndruar, ndërsa të njoftohen se do të largohen ata që nuk munden të qëndrojnë,” tha zonja Merkel.

Gjermania parashikon se fluksi i emigrantëve mund të kushtojë 3.7 miliardë dollarë të tjera për shërbimet sociale gjatë vitit 2016. Shpresohet se kurset e gjuhës gjermane do të përshpejtojnë përfshirjen e tyre në tregun e punës dhe do të ulin shpenzimet e shërbimeve sociale.

Sidoqoftë nuk është e sigurtë nëse do të shtohen vendet e punës.

“Ekziston një lloj kapaciteti për t’i përfshirë në disa segmente të caktuara të tregut të punës. Por, në kategorinë e ulët të tregut të punës, shtohet rreziku i konkurrencës,” thotë Andreas Germershausen, kreu i integrimit në Senatin e Berlinit.

Zoti Germershausen nuk është i qartë nëse Berlini mund të përballojë më shumë refugjatë:

“Përgjigja fillestare është ‘jo’, pasi në vitin 2015 askush nuk priste të vinin kaq shumë. Pra, një vit më parë nuk do të kishim qenë në gjendje të strehonim kaq shumë.”

Ligjvënësit gjermanë i frikësohen një vale të dytë emigrantësh ndërsa familjarët do të mundohen t’iu bashkohen atyre që ndodhen tashmë në Gjermani. Sipas OKB-së, ka një rritje të madhe të numrit të grave dhe fëmijëve që mbërrijnë në brigjet e Evropës në fillimin e vitit 2016.

XS
SM
MD
LG