Lidhje

Vendet e Gjirit Persik dhe Hezbollahu


Vendet e Gjirit janë duke u përpjekur të fillojnë një seri masash kundër interesave të Hezbollahut në rajon. Kjo ndodh si përgjigje ndaj përfshirjes përherë e më të madhe të grupit militant libanez shi’it në Siri. Phillip Walter Wellman njofton për Zërin e Amerikës nga Dubai.

Këshilli i Bashkëpunimit i Gjirit, (GCC), ku përfshihen Arabia Saudite e sunduar nga sunitë, Katari, Emirated e Bashkuara Arabe, Kuvaiti, Bahraini and Omani, kohët e fundit njoftuan se do të fillonin të vendosnin sanksione kundër Hezbollahut.

Zyrtarët thonë se masat do të kenë në objektiv degë të dyshuara të grupit, lejet e qëndrimit në ato vende dhe çështje tregtare të grupit. Kjo ndodh pasi Hezbollahu me bazë në Liban dërgoi trupa në Siri, që kanë luajtur një rol të rëndësishëm për t’i ndihmuar forcat pro-qeveritare të rimarrin kontrollin e qytetit strategjik Qusair.

Theodore Karasik është drejtor për kërkimet dhe zhvillimin në Institutin për Lindjen e Afërt dhe Analizat Ushtarake për Gjirin, me bazë në Dubai.

“Hezbollahu ka hyrë në Siri shumë seriozisht dhe po shkakton pasoja që ndjehen në mbarë rajonin, ku mund të ketë simpatizantë për Lëvizjen Hezbollah dhe unë mendoj që Këshilli i Bashkëpunimit i Gjirit po përpiqet të tregojë se në anën e kujt është.”

Shumica e shteteve myslimane, përfshirë ato të Gjirit, tradicionalisht kanë qenë në anën e Hezbollahut, si një ledh mbrojtës karshi Izraelit, megjithëse e konsideron atë si përfaqësues të Iranit.

Megjithatë, përfshirja përherë e më e madhe e grupit në Siri, i ka ndryshuar ndjenjat dhe e ka intensifikuar prirjen mes sunive dhe shi’itëve. Një degë e myslimanëve shi’itë dominon qeverinë siriane dhe myslimanët shi’itë përbëjnë shumicën në Iran. Kohët e fundit, klerikë myslimanë që përfaqësojnë 70 organizata suni me ndikim, bënë thirrje për zhvillimin e një lufte të shenjtë kundër regjimit të Assadit dhe aleatëve të tij shiitë.

Arabia Saudite dhe Katari, që i kanë shfrytëzuar të adhurat e tyre nga nafta për të siguruar ndikim politik në rajon, janë mes kritikëve më të ashpër të ndërhyrjes ushtarake të Hezbollahut në Siri. Sipas Michael Stevens, studiues në institutin RUSI Qatar, kundërshtimi i tyre buron pjesërisht nga shqetësimet se Këshilli i Bashkëpunimit i Gjirit ndodhet në një pozicion më pak komandues.

“Mendoj se ajo që shohim është se ekziston një frikë që Irani po fuqizohet, ndërkohë që vendet e Gjirit që kanë dedikuar shumë para, armë dhe përpjekje diplomatike në njërën anë të konfliktit sirian, po shohin tani se forcat Shiite po mobilizohen dhe po fillojnë të fitojnë”.

Analistët thonë se vendet e Gjirit po ashtu janë duke e shfrytëzuar konfliktin në Siri si një mënyrë për të mposhtur forcat disidente në vendet e tyre.

Sunduesit suni të Bahreinit janë të angazhuar me një kryengritje pro-reformave, të udhëhequr nga shumica shi’ite në vend që nga viti 2011. Bahreini e akuzon Hezbollahun se mbështet dhe stërvit bandat radikale brenda mbretërisë, një pretendim që Hezbollahu e mohon.

Në një fjalim të transmetuar me television, udhëheqësi i Hezbollahut
Hassan Nasrallah bëri të ditur se trupat e tij do të vazhdojnë të luftojnë në Siri. Dhe sipas analistit Karasik në Dubai, Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit po përgatitet për çdo situatë të mundshme.

“Në se gjithshka shkon në drejtimin e tanishëm, gjë që është tepër e vështirë, unë dyshoj se do të ketë mosmarrëveshje të mëtejshme mes shteteve suni dhe shiite dhe përkrahësve të tyre në rajon dhe kjo do të ketë një ndikim të madh në vendet e rajonit. Pra, ajo që janë duke bërë tani vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit është forcimi bashkarisht i mbrojtjes dhe sigurisë.”

Zyrtarët e Gjirit kanë sinjalizuar se kur është fjala për Hezbollahun, asgjë nuk duhet përjashtuar.
XS
SM
MD
LG