Lidhje

Mark Gjonaj fiton garën e demokratëve për Këshillin e Nju Jorkut


Mark Gjonaj NY City council democrat candidate
Mark Gjonaj NY City council democrat candidate

Kandidati për Këshillin e Bashkisë së Nju Jorkut, Mark Gjonaj, fitoi mbrëmë një garë të rëndësishme mes demokratëve në zgjedhjet për një qark të Bronksit, duke mposhtur rivalen më të afërt me rreth 4 për qind vota më shumë.

Zoti Gjonaj, i cili aktualisht është anëtar i Asamblesë së shtetit Nju Jork, falenderoi mbrëmë mbështetësit në një fjalim që mbajti përpara simpatizantëve sapo u bë e qartë se ai kishte fituar garën për Distriktin 13.

Ai mori 38.7 për qind të votave, kundrejt 34.4 për qind që mori rivalja Marjorie Velasquez. Kandidatët e tjerë nuk arritën të ngriheshin mbi kufirin 20 për qind.

Zoti Gjonaj ka tani shansin të bëhet shqiptari i parë në Këshillin e Nju Jorkut pasi ai konkuron në një zonë ku demokratët tradicionalisht fitojnë.

Sipas gazetës Daily News të Nju Jorkut, Gjonaj arriti të grumbullojë gjatë fushatës më shumë se 700 mijë dollarë, që shënon një rekord në garat për Këshillin Bashkiak që nga viti 1989.

Në një intervistë që i dha kohët e fundit Zërit të Amerikës, zoti Gjonaj, me origjinë nga Ulqini, tha se qëllimi që ai kandidon për Këshillin e Nju Jorkut është të ndihmojë komunitetin për të zgjidhur çështjet lokale dhe jo të avancojë për garat e vitit 2018 në Kongresin amerikan.

“Është në natyrën tonë t’ua shpërblejmë të tjerëve, është pjesë e traditës sonë. Ne jemi njerëz shumë bujarë, bëjmë më shumë për të tjerët sesa për veten tonë,” tha zoti Gjonaj, duke theksuar se Amerika i kishte dhënë shumë familjes së tij dhe se tani ishte koha që ai të kthente borxhin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG