Në Shqipëri Gjykata e Lartë u shpreh sot kunder ekstradimit te Almir Rrapos, ish sekretarit të ministrit të jashtëm shqiptar i cili kërkohej nga Drejtësia amerikane për të paktën 9 vepra penale. Rrapo megjithatë u dergua dy ditë më parë drejt SHBA, pa pritur Gjykatën e lartë dhe pa marre parasysh as vendimin e Gjykatës të të Drejtave të Njeriut në Strasburg e cila kishte kërkuar pezullimin e ekstradimit deri 15 ditë pas vendimit të Gjykatës së lartë shqiptare. Gjykata e Strasburgut shprehu shqetësim të thellë për vendimin e autoriteteve shqiptare I cili sipas saj ishte në shkelje flagrante dhe në mungesë respekti të masës së dhënë nga kjo Gjykatë.
Vendimi i sotëm i gjykatës së Lartë në Tiranë e cila rrëzoi vendimet e mëparshme të dy gjykatave të tjera të shkallës së parë dhe asaj të Apelit të cilat kishin miratuar ekstradimin e Almir Rrapos duket se I vë edhe më në vështirësi autoritetet shqiptare për procedurat e ndjekura për dërgimin dy ditë më parë drejt Shteteve të Bashkuara te Almir rapos, ish sekretarit të zotit Ilir Meta në kohën kur ky i fundit drejtonte diplomacinë shqiptare. Ky vendim pason shqetësimin e hapur që shprehu dje edhe Gjykata europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, 24 orë pasi Rrapo u ekstradua. Kjo Gjykatë kishte kërkuar me anë të një vendimi të saj pezullimin e ekstradimit deri 15 ditë pas shprehjes për këtë cështje edhe të Gjykatës së Lartë shqiptare. Në një letër drejtuar zyrës së Avokatit të Shtetit shqiptar, Gjykata e Strasburgut e konsideroi ekstradimin si "një shkelje flagrante dhe mungesë respekti për masën e përkohshme të miratuar nga Gjykata me një vendim të saj". Presidenti I Gjykatës është shprehur "shumë I shqetësuar për këtë zhvillim dhe autoritetin e Gjykatës si dhe mesazhin e pafat që u ka dërguar shteteve nënshkruese" për raste të tilla analoge. Gjykata e Strasburgut ka kërkuar që qeveria shqiptare të informojë gjykatën për rrethanat në të cilat u krye ekstradimi dhe arsyet pse nuk u zbatua masa e vendimit të saj si dhe të paraqesë kopje të cdo dokumentacioni që lidhet me këtë cështje.
Shqipëria si vend anëtar i Këshillit të Euriopës ka nënshkruar Konventën e të Drejtave të Njeriut mbi bazën e së cilës funksionon edhe gjykata e Strasburgut vendimet e së cilës janë të detyrueshme për të gjithë nënshkruesit. Në këtë aspekt cështja mund të shkojë edhe më tej, duke qenë se presidenti i Gjykatës ka vendosur të informojë rreth kësaj ngjarjeje të gjitha instancat e larta të Këshillit të Europës, përfshirë edhe Komitetin e ministrave, organi më I lartë I Këshillit.
Nga ana tjetër autoritetet amerikane janë shprehur të kënaqura për bashkëpunimin me autoritetet shqiptare që mundësuan ekstradimin e Rrapos, i cili ishte arrestuar në ambasadën amerikan në Tiranë. Prokurori i Nju Jorkut Pret Barara tha se me ndihmën e partnerëve të rendit në të gjithë botën FBI-ja do të vazhdojë përpjekjet për të nxjerrë para drejtësisë individë të angazhuar në krimin e organizuar në Shtetet e bashkuara apo kudo që ato fshihen në botë.
Rrapo akuzohet për të paktën 9 vepra penale që nga trafiku I lëndëve narkotike deri te bashkëpunim në vrasje. Për të paktën dy prej akuzave ai rrezikon burgim të përjetshëm.