Lidhje

Senati miraton Neil Gorsuch si anëtar të Gjykatës së Lartë


Senati amerikan miratoi me shumicë votash gjykatësin Neil Gursuch si anëtar të Gjykatës së Lartë. Vota e Senatit i jep Presidentit Trump fitoren më të rëndësishme të presidencës së tij të re, duke përfshirë në Gjykatën e Lartë një kandidat koservator që përmbys bilancin e votave, duke pasur tani 5 gjykatës konservatorë dhe 4 demokratë.

Miratimi i tij me shumicë të thjeshtë u bë i mundur pasi republikanët realizuan një ndryshim historik në rregullat e funksionimit të Senatit, me anë të të cilit i hiqet mundësia partisë së pakicës që të bllokojë të emëruarit për Gjykatën e Lartë.

Pas ditë të tëra akuzash dhe kundër-akuzash, dje erdhi momenti kulmor.

Republikanët e përdorën shumicën për të miratuar të ashtuquajturën “alternativë bërthamore”, duke ndryshuar rregullat e Senatit për të shfuqizuar një procedurë sipas së cilës demokratët mund të bllokonin konfirmimin e kandidaturës së zotit Gorsuch.

Ndryshimi bën të mundur miratimin e një kandidati të Gjykatës së Lartë me shumicë të thjeshtë, pavarësisht nga kundërshtimi i partisë së pakicës.

Republikanët thanë se nuk kishin asnjë alternative përveçse të vepronin.

“Duhet të rikthejmë normat dhe traditën në Senat, dhe ta kapërcejmë këtë bllokim të pashembullt partiak”.

Por demokratët kishin tjetër qendrim.

“Kur historia të gjykojë se çfarë ndodhi, përgjegjësia për ndryshimin e rregullave bie mbi republikanët dhe mbi shpatullat e udhëheqësit të republikanëve McConnell. Askush nuk i detyroi të veprojnë. Ata vepruan me vullnet të lirë”, tha udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.

Republikanët thanë se demokratët janë vetë përgjegjës për këtë ndryshim, duke kundërshtuar një përfundim që ishte i padiskutueshëm.

“Ata e dinin që zoti Gorsuch do të konfirmohej dhe se e meriton të konfirmohet.”

Zotit Gorsuch zëvendëson në Gjykatën e Lartë gjykatësin Antonin Scalia që vdiq vitin e kaluar. Me këtë ndryshim, të drejtat e partisë së pakicës do të dobësohen në Senat, një dhomë e Kongresit që historikisht i ka mbrojtur ato.

“Kjo dobëson Senatin në përgjithësi, në rolin e tij si një balancë ndaj autoritetit të Presidentit për të ndikuar tek sistemi gjyqësor. Është një recetë për më shumë konflikt dhe pakënaqësi mes partive, jo më pak”.

Vetë demokratët i ndryshuan rregullat në vitin 2013 për të eliminuar mundësinë e bllokimit për ata që nuk janë kandidatë për Gjykatën e Lartë. Procedura vazhdon të ekzistojë për pjesën më të madhe të votimeve për ligjet. Por tani që Senati ka votuar dy here për të dobësuar mundësinë e bllokimit nga pakica, mund të shtohet trysnia për ta dobësuar edhe më tej në vitet në vazhdim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG