Mijëra civilë u larguan të enjten nga qyteti Guta nën kontrollin e rebelëve, në atë që shihet si eksodi më i madh i njerëzve nga rajoni i rrethuar pranë Damaskut, që kur forcat qeveritare filluan fushatën për rimarrjen e kontrollit të qytetit.
Sipas organizatës Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, pasi ushtria siriane hapi një korridor kalimi gjatë natës, civilët filluan të largoheshin më këmbë, me makina dhe motoçikleta, drejt një zone që është nën kontrollin e qeverisë siriane.
Në fillim të javës, dhjetra të plagosur dhe njerëz të sëmurë u evakuuan nga Guta lindore, e cila është ndarë në tre zona të rrethuara nga ofensiva e qeverisë.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se 25 kamionë të ngarkuar me ndihma humanitare hynë në rajonin verior nën kontrollin e rebelëve, me destinacion qytetin Duma.
Kryqi i Kuq tha se autokolona transportoi ndihma ushqimore të mjaftueshme për 26 mijë e 100 njerëz për një muaj, si dhe artikuj të tjerë të nevojshëm.
Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se gjatë natës pati dhjetra sulme ajrore dhe bombardime në Gutën lindore.
Rusia dhe Siria thonë se sulmet kanë si objektiv vetëm militantët e armatosur dhe se po përpiqen të ndalin sulmet me mortaja që kanë lënë qindra të vrarë në rajon. Të dyja këto vende fajësojnë forcat rebele se përdorin civilët si mburoja njerëzore, një akuzë që kryengritësit e mohojnë.
Megjithatë, organizata “Amnesty International”, akuzon qeveritë e Sirisë dhe të Rusisë, si dhe pjesëmarrës të tjerë në luftimet e së enjtes, se kanë dështuar që t’i japin fund “vuajtjeve të miliona sirianëve” dhe të ndalin sulmet ndaj civilëve në Gutën lindore dhe në Afrin.
Grupi i të drejtave të njeriut tha se 400,000 civilë në Gutën lindore “po vuajnë urie dhe po bombardohen” nga qeveria siriane, me mbështetjen ruse.
Facebook Forum