Lidhje

Gratë në poste të larta drejtuese në biznes


Një studim i fundit tregon se vetëm 15 për qind e roleve drejtuese në kompanitë më të fuqishme amerikane mbahen nga gratë. Ky fakt ka nxitur disa drejtuese të fuqishme amerikane në biznes të mobilizohen për të tërhequr sa më shumë gra në poste të rëndësishme. Ndryshimi, thonë ato, kërkon një angazhim të hershëm dhe transformimin e mënyrës së edukimit të vajzave:

Kompania Ditto është një ndër emrat e rinj që i shtohen listës së firmave të teknologjisë së lartë në rajonin Silicon Valley të Kalifornisë. Kjo kompani ka krijuar një program kompjuterik që deshifron specifikat e pamjes së jashtme për të zgjedhur syze sa më të përshtatshme në mënyrë dixhitale. Themeluesja e kompanisë është Kate Endress:

“Kohët e fundit kishim vende pune për tre inxhinierë. Aplikuan 43 burra dhe vetëm tre gra. Kjo tregon se si është i ndarë tregu i punës”.

Në rajonin teknologjik Silicon Valley, gratë në poste drejtuese kanë marrë mbi vete nismën për të tërhequr sa më shumë gra në këtë sektor. Sipas një studimi të fundit vetëm 15 për qind e posteve drejtuese në 500 kompanitë më të suksesshme amerikane janë të zëna nga gratë.

Megjithëse situata ka ndryshuar shumë gjatë viteve të fundit, gratë pohojnë se ende ekzistojnë standarde të dyfishta për karrierën e një gruaje. Për një burrë nuk konsiderohet anormale që t’i kushtohet plotësisht karrierës, ndërsa një grua gjykohet negativisht nëse nuk shpenzon një kohë të caktuar me familjen.

Kelly Steckelberg është drejtuese e operacioneve për kompaninë elektronike Zoosk. Ajo shprehet se gratë janë shpesh shkaku i problemit:

“Në rajonin Silicon Valley ka plot mundësi karriere për gratë dhe nuk mendoj se ekziston një paragjykim i madh gjinor. Por unë mendoj se gratë ia bëjnë vetes. Këto janë zgjedhje personale që njeriu i bën që në moshë të vogël. Shumë gra, që herët i eliminojnë këto alternativa, pasi duan të rrinë në shtëpi të rrisin fëmijët. Si rezultat, në këto kompani gjen më pak gra që të mbështesin e të mësojnë nga njëra-tjetra”.

Për të kapërcyer këtë hendek dhe për të shtuar numrin e grave në poste të larta drejtuese, duhet që të ndryshojë mënyra si edukohen vajzat që në moshë të re, thotë zonja Steckelberg:

“Duhet të fillojmë që në moshë të vogël që t’u mësojmë vajzave se kanë plot zgjedhje në karrierë. Ato nuk kanë përse ta shohin jetën në prizmin e roleve tradicionale, pasi realiteti ka ndryshuar”.

Në një shkollë private për vajza në Palo Alto të Kalifornisë, nxënëset përqëndrohen tek matematika dhe shkencat, me shpresën që nëtë ardhmen, këto vajza do të marrin role drejtuese në sektorin teknologjik. Caroline Debs ka ambicje që një ditë të punojë në një kompani novatore elektronike:

“Shpresoj të bëhem një ditë drejtuese në një kompani si Facebook-u. Më pëlqen të krijoj faqe interneti, më pëlqen të merrem me programe kompiuterike. Është një fushë që do ta pëlqeja si karrierë në të ardhmen”.

Libri i ri “Lean In” nga një prej drejtuesve të Facebook-ut, Sharyl Sangberg, përpiqet të gjenerojë një mobilizim nga gratë në role të fuqishme për të mbështetur dhe nxitur brezin e ardhshëm të grave drejtuese. Duket se këto vajza kanë një të ardhme plot shpresë dhe mundësi përpara.
XS
SM
MD
LG