Lidhje

Greqi, fillojnë bisedimet për fondin e shpëtimit


Popullsia në Greqi duket se ka pranuar realitetin e një periudhe të vështirë disa vjeçare që i pret përpara, ndërkohë që sot fillojnë në Athinë bisedimet me kreditorët ndërkombëtarë për fondin e shpëtimit financiar.

Një ekip teknik që përfaqëson kreditorët ndërkombëtarë ndodhet në Athinë, duke filluar kështu edhe fazën fillestare të negociatave për fondin e tretë të shpëtimit financiar. Greqia do të negociojë me ta huanë tre-vjeçare prej 86 miliardë Eurosh që do të mbajë vendin brenda Eurozonës.

Në mes të temperaturave të larta të vapës së Athinës, shumë grekë mendojnë se programi i ri i shpëtimit do të përkthehet në më shumë vuajtje dhe dhimbje ekonomike.

“Në këtë moment, qeveria duhet të qëndrojë e bashkuar që të trajtojë problemet më kryesore të vendit. Edhe kreditorët tanë, Bashkimi Evropian, duhet të tregojnë mirëkuptim drejt zgjidhjes së disa prej problemeve tona dhe që ky vend më në fund të lëvizë përpara.”

Një ndërtues që po përballet me vështirësi për shkak të rënies së projekteve të ndërtimit, thotë se njerëzit duhet të tregohen të duruar, pasi nuk ka alternativë tjetër.

“Largimi nga Eurozona dhe ndërrimi i monedhës nuk është diçka e mundshme. Nëse largohemi, jemi të humbur. Dua që Tsipras të mbahet fort, por nuk di sa do të jetë e mundur. Papunësia po rritet shumë.”

Të tjerë qytetarë kritikojnë qeverinë greke dhe pamundësinë e politikës për të marrë në dorë fatet e vendit.

“Njerëzit votuan ‘jo’ në referendum për shkak të varfërisë dhe të urisë. Fatkeqësisht, qeveria e mori ‘jo’-në dhe e ktheu në ‘po’,” thotë një pensionist.

Një italian që jeton prej vitesh në Greqi, shpreh dëshpërimin me klasën politike.

“Në situatën që ndodhet Greqia tani, nuk ka asnjë person të aftë të qeverisë. Mohuam shumë të tjerë nga e kaluara, të cilët mund t’i kishin menaxhuar gjërat ndryshe. Nuk ekziston asnjë që mund të marrë timonin.”

Ndërkohë, gazetat greke njoftuan për një hetim të mundshëm të prokurorisë ndaj ish-ministrit të financave Varoufakis në lidhje me hartimin e një plani emergjence që synonte futjen në rrugë të paligjshme të një monedhe paralele. Vetë zoti Varoufakis është shprehur se Kryeministri Tsipras e pati miratuar planin fillimisht, por anulloi zbatimin e tij pasi kriza imponoi mbylljen e bankave dhe kufizime mbi kapitalin financiar.

XS
SM
MD
LG