Lidhje

Greqi - FMN, ende pa marrëveshje


Java që po mbyllet ishte e vështirë për kryeministrin grek Aleksis Tsipras. Zoti Tsipras u shkëput përkohësisht nga bisedimet e dhimbshme në Bruksel për të festuar rihapjen e radiotelevizionit shtetëror ERT.

Tsipras e përshkroi mbylljen e stacionit dy vjet më parë si "një plagë të madhe" në procesin e shpëtimit financiar të vendit.

Por tani që vendi duket se po i afrohet gjithnjë e më tepër falimentimit, për zotin Tsipras nuk mbeten shumë gjëra që ta bëjnë atë të qeshur dhe optimist.

Fondi Monetar Ndërkombëtar këtë javë u largua nga negociatat. Ndërkohë që një udhëheqës i lartë i BE-së e këshilloi Athinën të mos luajë kumar me të ardhmen e saj.

Aleksis Tsipras, Kryeministër i Greqisë:

"Ne po luftojmë, ndërkohë që negociojmë. Për sa kohë që njerëzit mbështesin përpjekjet e qeverisë, qeveria do të ndjekë kërkesat e drejta të popullit grek në mënyrë që të sigurohet një marrëveshje."

Greqia ka nevojë për një marrëveshje për të zhbllokuar ndihmën para fundit të këtij muaji, përndryshe ajo nuk do të mund t'i paguajë dot Fondit Monetar këstin prej 1.6 miliard euro.

James Bevan i kompanisë së shërbimeve financiare CCLA thotë se sfidat me të cilat përballet Greqia janë një shqetësim i madh:

"Në qoftë se Greqia arrin ta shtyjë deri muajin tjetër, një datë me rëndësi do të jetë 20 korriku, kur ajo duhet të bëjë një pagesë për Bankën Qendrore Evropiane. Edhe në qoftë se kjo paguhet, e ardhmja afatgjatë për Greqinë është mjaft e pasigurt, nëse kemi parasysh shkallën e borxhit të saj.''

Greqia ende shpreson të arrijë një marrëveshje me kreditorët në një takim të ministrave të financave më 18 qershor.

Por nervozizmi i njerëzve në rrugë është në rritje.

Studentë dhe pensionistë kanë frikë se qeveria do të tërhiqet nga premtimet e saj parazgjedhore për t'i dhënë fund masave shtrënguese ekonomike.

Kreu i Eurogroupit, Jeroen Dijsselbloem thotë se një marrëveshje ende është e mundur - por vetëm nëse propozimet e Athinës kanë kuptim ekonomik.

Por sinjalet që vijnë nga Athina janë të paqarta. Ministri i Finacave Janis Varufakis, i pyetur sot nëse Greqia mund të nënshkruajë një program të ri shpëtimi për të siguruar fondet që do të shmangnin falimentimin financiar, u përgjigj:

"Në asnjë mënyrë, ne nuk u zgjodhëm për këtë".

Papunësia në Greqi është përsëri në qendër të vëmendjes.

Në tremujorin e parë të vitit shkalla e papunësisë arriti në 26.6 për qind.

XS
SM
MD
LG