Lidhje

Partitë greke, të mbërthyera në bisedime për formimin e qeverisë


Në zemër të çdo administrate do të jetë Demokracia e Re e cila fitoi më shumë vende në zgjedhjet e së djelës

Drejtuesit e partive greke po zhvillojnë raundin e dytë të bisedimeve që synojnë formimin e një qeverie koalicioni. Presidenti i vendit i ka dhënë kohë deri nesër kreut të partisë konservatore Demokracia e Re, Antonis Samaras për të formuar një aleancë pasi partia e tij fitoi shumicën e vendeve në zgjedhjet parlamentare të së djelës.

Drejtuesit e partive rivale greke u mbërthyen sot në ditën e dytë të bisedimeve për ndarjen e pushtetit, me dy partnerë të mundshëm, me shpresën që të mund të formohet me shpejtësi një qeveri koalicioni pro ndihmës evropiane, pas dy zgjedhjeve në gjashtë javë.

Në zemër të çdo administrate do të jetë partia Demokracia e Re e Antonis Samaras, që u radhit i pari në zgjedhjet e së djelës dhe fitoi 129 nga 300 vendet e parlamentit, por jo mjaftueshëm për ta formuar vetë qeverinë.

Samaras po kërkon një aleancë me partinë Pasok që u radhit e treta dhe me partinë e vogël të Demokracisë së Majtë, duke përmbushur gjerësisht premtimet e Greqisë ndaj kreditorëve të paketës së ndihmës për shkurtime të mëtejshme dhe reforma, për ta mbajtur vendin në eurozonë.

Kreu i Pasokut Evangelos Venizelos u takua dje me kreun e të Majtës Demokrate Fotis Kouvelis, i cili këmbëngul se programi i masave shtrënguese për Greqinë duhet të rishikohet.

“Ka çështje që duhet t’i zgjidhim, kryesisht ato që kanë të bëjnë me shqetësimet për marrëveshjen e ndihmës, pasi çdo qeveri duhet të bjerë dakort për një politikë të caktuar si brenda vendit, edhe për çështje që shqetësojnë Evropën që kanë të bëjnë me ndihmën dhe masat nga të cilat Greqia duhet të lirohet”.

Si konservatorët e Demokracisë së Re, edhe Pasoku kanë premtuar të respektojnë premtimet për reforma dhe shkurtime, për të marrë dy ndihma nga Evropa dhe FMN-ja.
Syriza që doli në vendin e dytë në zgjedhje ka refuzuar të marrë pjesë në koalicion.
Alexis Tsipras bëri fushatë kundër paketës së ndihmave, duke premtuar se do të hiqte dorë nga premtimet e bëra ndaj kreditorëve dhe partnerëve evropianë.
Dhe kjo ndjenjë reflektohet tek shumë grekë që janë pesimistë edhe pas zgjedhjeve.

“Asgjë nuk do të ndryshojë, pasi ata e kanë nënshkruar marrëveshjen për ndihma. Shtrohet pyetja se çfarë do të bëjë qeveria për ata që u shkurtohen pensionet, për taksat, për ata që punuan tërë jetën për të patur një shtëpi. A do të jenë në gjendje ata ta mbajnë atë apo do ta humbasin? Kjo i intereson popullit dhe kjo është arsyeja përse të gjithë janë të dëshpëruar”.
XS
SM
MD
LG