Lidhje

Shpërthejnë protestat në Greqi – parlamenti pranon masat e kursimit


Protesta të dhunshme shpërthyen derisa debatohej në parlamentin grek mbi ligjin e ndihmës financiare që do të shoqërohet me masa të reja shtrënguese

Protestuesit grek që kundërshtojnë masat e kursimit, hodhën shishe me benzinë mbi policinë të mërkurën para ndërtesës së parlamentit, i cili miratoi me 229 vota për dhe 64 kundër, ligjin me të cilin u pranuan kërkesat e ashpra të kreditorëve ndërkombëtar ndaj Athinës, në shkëmbim të masave të shpëtimit.

Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës ndaj protestuesve në sheshin Syntagma, ndërsa arrestoi të paktën 50 prej tyre. Dhuna la nën hije parakalimin paqësor të mijëra grekëve nëpër Athinë kundër masave te kursimit.

Farmacistët grek mbyllën qepenat e dyqaneve për të protestuar reformat e propozuara, ndërsa shërbyesit civil lanë vendet e tyre të punës. Por, një anketë dëshmoi se 70 për qind e grekëve mbështesin planin e shpëtimit.

Fondi Monetar Ndërkombëtarë tërhoqi vërejtjen se borxhi i Athinës është “shumë i paqëndrueshëm”.

FMN-ja tha se situata në Greqi do të përkeqësohet gjatë dy viteve të ardhshme me borxhin e saj që është gati sa dyfishi i prodhimit ekonomik kombëtar.

Kryeministri grek Alexis Tsipras u përball me kundërshti nga anëtarët e partisë së tij Syriza. 30 nga 162 deputetët e saj në parlamentin 300 vendesh kanë ngritur zërin kundër masave shtrënguese.

Tsipras i ka quajtur masat e kursimit “joracionale” dhe ka pranuar se ato janë në kundërshtim me zotimet e tij elektorale të para disa muajve për t’u dhënë fund masave shtrënguese. Por, ai tha se është pajtuar me to për të shmangur bllokadën financiare të Greqisë.

Tsipras hodhi poshtë mundësinë që të jap dorëheqje duke theksuar se “nuk do të largohem nga përgjegjësitë e mia”.

XS
SM
MD
LG