Lidhje

Greqia përgatitet për referendum


Në Greqi, një anketë me votues që mendojnë se do të marrin pjesë në referendumin e së dielës lidhur me propozimet evropiane për daljen nga kriza, tregon se grekët janë të ndarë thuajse barabar, pro dhe kundër paketës. Nga sondazhi me një mijë persona, i kryer më 30 qershor dhe 1 korrik, del se 44.8 për qind e të anketuarve thonë se do të votojnë "po", ndërsa 43.4 për qind "jo". Ndërkohë, 11.8 për qind e të anketuarve thonë se janë të pavendosur. Megjithëse rezultati i referendumit mbetet i paparashikueshëm, shumë grekë besojnë se nëse kundërshtohen propozimet, Greqia do të jetë një hap më pranë daljes nga Eurozona.

Kryeministri grek Alexis Tsipras po bën fushatë me thirrjen për të kundërshtuar propozimet, duke thënë se një votë “Jo” në referendum do t’i jepte Greqisë më shumë fuqi negociuese në marrëdhëniet me kreditorët evropianë në të ardhmen:

“Nëse triumfon vota “Jo”, ju garantoj se të nesërmen do të jem në Bruksel dhe do të nënshkruhet një kontratë”.

Ndrkaq, Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se Greqia ka nevojë për ndihmë për të paguar borxhin dhe për një shumë tjetër prej 56 miliardë dollarësh borxh për të përballuar situatën deri në fund të 2018.

Ajo që e acaron më tej situatën e Greqisë është se ky vend nuk mund të përfitojë nga ndihma evropiane shtesë, pasi nuk arriti të paguajë këstin e borxhit prej afro 2 miliardë dollarësh brenda afatit të së martës.

Problemet financiare në vend i kanë bërë grekët nervozë dhe pesimistë për të ardhmen:

COSTAS GOLEMIS, PENSIONIT

“Gjithë jetën jam treguar i kujdesshëm me paranë, kam qenë punëtor, i vëmendshëm. Sot më vjen turp nga vetja”.

DIMITRIS KODELAS, Kreu i partisë Syriza

“Është e papranueshme. Pyetja që ka shtruar qeveria është e qartë. Nëse pranojmë termat e Eurogrupit dhe të Presidentit të Komisionit Evropian Juncker, do të pranojmë një marrëveshje që do ta çojë vendin në katastrofë më të rëndë se ajo që kemi parë gjatë pesë vjetëve të fundit”.

Anketat nuk tregojnë një tendencë të qartë për votën e së dielës, por shumë grekë mendojnë se një votë kundër propozimit e çon Greqinë një hap më pranë mundësisë për t’u bërë vendi i parë që shkëputet nga blloku i euros.

XS
SM
MD
LG