Lidhje

Greqi, shtatë viktima si pasojë e motit të keq


Autoritetet greke thanë se gjashtë shtetas të huaj, në mesin e të cilëve dy fëmijë humbën jetën, ndërsa më shumë se 100 të tjera pësuan lëndime nga një stuhi me erëra të forta dhe shi, që goditi natën e së mërkurës në Greqinë veriore, duke nxjerrë drunjtë më rrënjë dhe duke rrëzuar kulmet e shtëpive.

Pamjet e publikuara nga agjencia e lajmeve Reuters, tregojnë pasojat e dëmeve të shkaktuara në një vendpushim pas erërave të forta në gadishullin Halkidiki, një rajon shumë i vizituar nga turistët gjatë verës.

Athansios Kaltsas, drejtor i Qendrës Mjekësore Nea Moudania, i tha televizionit grek se pacientët që u dërguan në klinikë janë nga 8 muajsh deri në 70 vjeç. Disa kanë pësuar lëndime në kokë nga drunjtë e rrëzuar dhe objekte tjera të shkatërruara nga erërat.

Policia tha se dy turistë të moshuar nga Çekia, vdiqën pasi erërat dhe ujërat morën përpara makinën e tyre.

Një grua dhe një fëmijë 8 vjeçar nga Rumania, vdiqën pas rënies së kulmit të një restoranti në Nea Plagia. Një burrë dhe një djalosh i ri, rusë që të dy, vdiqën pasi një dru u rrëzua afër hotelit të tyre në qytetin bregdetar Potidea.

Një mot i tillë i ligë është i pazakonshëm në Greqi, ku verat janë të nxehta dhe të thata. Meteorologu Klearxos Marousakis, i përshkroi kushtet e motit “skajshmërisht të pazakonshme” në këtë periudhë të vitit.

Autoritetet e shpallën gjendjen e jashtëzakonshme në Halkidiki. Të paktën 140 zjarrfikës janë duke vepruar në zonën e goditur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG