Lidhje

Turizmi dhe kriza ekonomike në Greqi


Ndërkohë që Greqia ende përballet me shumë pasiguri përpara zgjedhjeve të reja, ka shpresë se turizmi do të ndihmojë vendin të dalë nga kriza ekonomike. Ndërsa disa turistë mund të jenë të shqetësuar nga pasojat e krizës ekonomike, shumë të tjerë janë duke injoruar parashikimet e zymta për ekonominë e Greqisë dhe po vizitojnë plazhet e këtij vendi.​

Greqia është një nga destinacionet turistike më popullore të Evropës.

Plazhet si ky në veriperëndim të Kretës tërheqin miliona turistë çdo vit.

Fredric Rousseru dhe Magali Damala nga Belgjika janë vizitorë të shpeshtë. Ata thonë se vijnë këtu për shkak të motit, ushqimit dhe detit të mirë.

Sipas Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara (UNWTO), vitin e kaluar numri i vizitorëve ndërkombëtarë në Greqi u rrit 23 përqind, duke arritur në 22 milion. Organizata e OKB-së për turizmin thotë se kjo rritje është trefish më e lartë se sa rritja mesatare në rajonet Jugore dhe të Mesdheut në Evropë.

Këtu nuk mund të vërehet frika nga kriza financiare. Qyteti port i Chania-s nuk tregon shenja të shqetësimit nga kriza financiare. Rrugët e qytetit janë plot me vizitorë.

Turistja gjermane Martina Walbaum e ka vizituar Kretën për 30 vjet. Ajo tashmë ka bërë rezervimin për pushimet e verës së vitit të ardhshëm, pavarësisht shqetësimeve mbi pasojat që kriza financiare mund të ketë mbi turizmin.

"Po, unë kam qenë pak e shqetësuar mbi atë se çfarë mund të ndodhë me monedhën, zëvendësimi i euros me dhrahmin. Por kjo nuk më ndaloi të vija këtu. Nuk isha e shqetëuar se këtu do të kishte trazira ose probleme të tjera".

Ndërsa turistët vijnë këtu për t'u ikur streseve të jetës së përditshme, shtrohet pyetja a mundet industria e turizmit të ndihmojë në tejkalimin e parashikimeve të zymta ekonomike të vendit?

Manolis Giannoulis, drejtues i një ndërmarrje turistike dhe President i Shoqatës së Hoteleve në Chania, thotë se kjo është e mundur.

"Tani turizmi është rreth 18 ose 19 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Të gjitha studimet tregojnë se kjo mund të përmirësohet dhe ndoshta turizmi mund të arrijë në më shumë se 30 ose 35 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vendin tonë".

Por zoti Giannoulis thotë se varet nga investimet inteligjente në infrastrukturë, si përmirësimi i rrugëve dhe objekteve të transportit.

Këshilli Botëror Udhëtimit dhe Turizmit është dakord me këtë optimizëm, duke sugjeruar se turizmi në Greqi mund të krijojë 200,000 vende të reja pune gjatë dhjetë viteve të ardhshme.

Ky është një lajm i mirëseardhur në një vend ku sipas shifrave zyrtare, në vitin 2014 niveli i papunësisë arriti në 27,3 përqind.

Por optimizmi është i lehtë në një vendpushim luksoz si ky, i cili u shërben vizitorëve të pasur të huaj. Pak më tej, poshtë bregut, është një vendpushim tjetër që varet nga pushuesit vendas dhe aty është një histori tjetër. Megjithëse është kulmi i verës, ky plazh nuk është i mbushur me pushues. Shumë nga pushuesit vendas që vijnë këtu nuk shpenzojnë shumë.

Menaxheri i plazhit Cabana Mare në Agia Marina, Stavros Apostolakis e kupton këtë problem.

"Është një problem për të gjithë, jo vetëm për ne. Tani është më e vështirë për shkak të krizës ekonomike. Pra, njerëzit po shpenzojnë më pak se sa në vitet e kaluara sepse pagat e tyre janë minimizuar, çmimet janë rritur, por unë mendoj se ne mund të përmirësohemi në të ardhmen".

Por jo të gjithë e ndajnë këtë optimizëm.

Investitorët shqetësohen nga trazira të mundshme në Greqi pas dorëheqjes së kryeministrit Aleksis Tsipras. Greqia duket se po shkon drejt zgjedhjeve të reja më 20 shtator, nëse opozita nuk do të mund ta formojë një qeveri të re.

Koha do të tregojë nëse turizmi do të mund të ndihmojë në ringjalljen e ekonomisë greke, apo nëse edhe kjo industri do të vuajë pasojat e krizës ekonomike.

XS
SM
MD
LG