Lidhje

Greqi: Jep dorëheqjen Ministri i Financave


Ai hyri në politikën greke, duke premtuar se do t’i bënte gjërat ndryshe. Dhe pa dyshim që ish-Ministri i Financave Varoufakis e realizoi një gjë të tillë. Por me një kosto. Akademiku i kthyer ministër vendosi që të tërhiqej. Ai tha sot se ishte “vënë në dijeni të disa preferencave” të disa anëtarëve të Eurozonës që ai të mungonte nga takimet e ministrave të financave. Ai tha se tërheqja e tij nga takime të tilla ishte “një ide që kryeministri kishte menduar se mund të ndihmonte për arritjen e një marrëveshjeje” me kreditorët e Greqisë.

Por a do të ndihmojë largimi i tij për të siguruar një marrëveshje të re? Mike Ingram është një analist me firmën BGC Partners.

“Mund ta zbusë disi tonin e bisedimeve mes Greqisë dhe kreditorëve të saj, por në fund të fundit qeveria greke ka një mandat nga populli për të punuar për një zgjidhje krejt të ndryshme për Greqinë”.

Shumë grekëve u vjen keq për dorëheqjen e tij.

“Nuk jam dakord me dorëheqjen e zotit Varoufakis. Ai ishte alternativa më e mirë për Greqinë. Evropa duhet ta kuptojë që Greqisë i ka ardhur në majë të hundës me masat shtrënguese”.

Por ka nga ata që e shohin ndryshe.

“Ministri i Financave do të hiqej gjithsesi. Askush nuk e çan kokën për popullin grek. Tsipras po e mashtron popullin. ‘Jo-ja’ e tij e fundosi Greqinë”.

Para disa ditësh, zoti Varoufakis akuzoi Bashkimin Evropian për “terrorizëm” duke u përpjekur që t’i bindnin grekët të votonin siç donte BE-ja përmes frikës. Sot, ai tha se “ndjehej krenar nga përçmimi i kreditorëve”.

Kryeministri Alexis Tsipras falenderoi zoti Varoufakis, përmes një deklarate të zëdhënësit të qeverisë Gabriel Sakellaridis “për përpjekjet e tij të vazhdueshme për të paraqitur qëndrimet e qeverisë dhe interesat e popullit grek në kushte jashtëzakonisht të vështira”.

Rezultatet e referendumit tregojnë se 61 për qind e votuesve kundërshtuan paralajmërimet e udhëheqësve evropiane sipas së cilave nëse ata nuk i merrnin parasysh thirrjet për masa të mëtejshme shtrënguese, vendi mund të detyrohej të dilte nga Eurozona.

Kryeministri Tsipras që kishte bërë thirrje të votohej “jo” tha pas votimit:

“Sot ne festojmë fitoren e demokracisë”.

Ai shtoi se Athina është e gatshme të kthehet në tryezën e negociatave dhe se mandati publik do ta forcojë pozitën e tij për të arritur një marrëveshje më të favorshme me kreditorët e Greqisë.

Opozita e akuzoi zotin Tsipras se kishte vënë në rrezik anëtarësinë vendit në Eurozonë. Udhëheqësi i opozitës greke Antonis Samaras shpalli dorëheqjen pasi partia e tij Demokracia e Re kishte bërë thirrje për një votë në favor të masave shtrënguese në referendum.

Mijëra grekë u mblodhën mbrëmë në sheshin qendror të Athinës për të përshëndetur rezultatin e referendumit, duke brohoritur “Jo, Jo!”.

Afro 10 milionë vetë ishin regjistruar për të votuar në referendum dhe zyrtarët thonë se 62 për qind morën pjesë në votim.

Një votues parashikoi se referendumi nuk do të sillte asgjë pozitive, duke thënë se “referendumi nuk duhej të ishte mbajtur. Nuk ka dilemë. Ngado që ta shohësh është negative për ne”.

Nëse Greqia deyrohet të dalë nga Eurozona, ajo do të detyrohet t’i rikthehet përdorimit të dhrahmisë, një monedhë që mund të refuzohet jashtë Greqisë.

XS
SM
MD
LG