Lidhje

Eurozona, dakord t’i japë Greqisë kredi të re


Ministrat e financave të Eurozonës ranë sot dakord rreth planit për një kredi të përkohshme prej 7 miliard eurosh, që do ta ndihmonte Greqinë të paguajë një këst borxhi ndaj Bankës Qendrore Evropiane të hënën e ardhshme.

Në një deklaratë, ministrat thanë se janë dakord në parim të nisin bisedimet me Greqinë për një paketë të re trevjeçare të shpëtimit financiar. Ata i bënë thirrje gjithashtu Athinës të miratojë një seri të dytë reformash deri të mërkurën.

Ndërkohë, sot, Banka Qendrore Evropiane rriti paksa financimin e emergjencës për bankat greke, për të lejuar rihapjen e tyre të pjesshme.

Zhvillimet vijnë pas miratimit nga parlamenti grek prej 300 vendesh, të paketës së masave shtrënguese. Masat u miratuan me 229 vota pro, 64 vota kundër dhe gjashtë abstenime. Zoti Tsipras kërkoi mbështetjen e partive opozitare pro-evropiane, gjë që e vë në pikëpyetje të ardhmen e qeverisë së tij.

Në këmbim të financimit me vlerë deri në 86 miliard euro, Greqia ka pranuar reformat, të cilat përfshijnë ndryshime të rëndësishme në sistemin e pensioneve, rritjen e taksës mbi vlerën e shtuar, ndryshime në sistemin e sindikatave, liberalizimin e ekonomisë dhe kufizimin e shpenzimeve publike.

Ajo ka rënë dakord gjithashtu që të sekuestrojë në një fond të veçantë privatizimi asete publike me vlerë 50 miliard euro, të cilat do të shërbejnë si koletaral për marrëveshjen.

Njerëzit e intervistuar në rrugët e Athinës, thanë se tani ata shpesojnë të shohin një qeveri të fortë, pavarësisht se Syriza u mbështet tek opozita për të miratuar paketën e shpëtimit financiar.

"Së bashku ne do të luftojmë për ta ndryshuar këtë gjendje, që është një lak në qafën tonë. Ishte një vendim i vështirë, por i guximshëm. Njerëzit do të dalin në rrugë dhe do të luftojnë që kjo qeveri e majtë të mos rrëzohet," tha Stamatis Skabardonis, anëtar i partisë Syriza.

"Kjo qeveri nuk do të bjerë. Ata do të veprojnë si duhet, që ne të dalim nga ky qorrsokak,” tha pensionisti 71-vjeçar Theofilos.

"Shpresoj se do të arrijnë ta kalojmë këtë situatë. Do të jetë e vështirë me këto masa, por nuk ka rrugë tjetër,” tha 26-vjeçari Yannis Skrekis.

Masat e reja u quajtën "gjenocid social" nga kryetarja e parlamentit Zoe Constantopoulou. Mbrëmë, ndërkohë që deputetët vazhdonin debatin, jashtë parlamentit pati përleshje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë.

Mes 38 deputetëve të Syrizës që votuan kundër ishte ish-ministri i Financave, Yanis Varoufakis, i cili u shkarkua nga zoti Tsipras javën e kaluar. Ai e kishte quajtur marrëveshjen e shpëtimit si "një Traktati të ri të Versajës", pakti që i kërkoi Gjermanisë dëmshpërblime të papërballueshme pas humbjes së saj në Luftën e Parë Botërore.

Kundër paketës votuan edhe Ministri i Energjisë Panagiotis Lafazanis dhe Zëvendës Ministri i Punës Dimitris Stratoulis.

Duke folur në parlament para votimit, zoti Tsipras tha se ai e kishte mbështetur paketën kundër vullnetit të tij, por shtoi se nuk kishte asnjë alternativë tjetër për të shmangur falimentimin financiar.

Me miratimin e parlamentit grek, është hapur rruga që parlamentet e vendeve të tjera të miratojnë fillimin e bisedimeve të shpëtimit financiar për Greqinë.

XS
SM
MD
LG