Lidhje

Ministri grek i Rendit Publik jep dorëheqjen


Nicolopoulos/Eurokinissi via REUTERS - ATTENTION EDITORS - THIS IMAGE WAS PROVIDED BY A THIRD PARTY. NO RESALES. NO ARCHIV

Ministri grek i Rendit Publik dhe Mbrotjes Civile Nikos Toskas dha të premten dorëheqjen nga detyra lidhur me incidentin në një nga vendpushimet turistike të vendit, ku si pasojë e zjarreve të fuqishëm humbën jetën një numër i madh personash. Njoftimi u bë nga zyra e kryeministrit Alexis Tsipras.

"Kryeministri ka pranuar dorëheqjen e zotit Toskas", u tha në një deklaratë të zyrës së shtypit pas takimit që kryeministri pati me të.

Zoti Tsipras ishte nën presion për të shkarkuar anëtarë të kabinetit të tij pas zjarreve në vendpushimin bregdetar të Mati-t më 23 korrik, më vdekjeprurësi në historinë greke.

Numri i të vdekurve është rritur, duke shkuar në 88 vetë, shumë prej të cilëve fëmijë, 40 të tjerë ndodhen në spital ndërsa një person rezulton ende i zhdukur.

Nëntë nga të lënduarit ndodhen në gjendje kritike për jetën.

Partitë e opozitës e kanë akuzuar qeverinë për mos dhënien e paralajmërimit të duhur dhe se nuk evakuoi në kohë, një zonë që goditet shpesh nga zjarret, krahas akuzave për përpjekje për të fshehur numrin e viktimave në njerëz.

Në ditët që pasuan, zjarrfikësit dhe policia, të dy departamente nën përgjegjësinë e Nikos Toskas, publikuan njoftime kontradiktore lidhur me ngjarjen.

Këtë javë një sindikatë e policisë tha se oficerët nuk ishin njoftuar menjëherë nga departamenti i zjarrfikësve lidhur me vendndodhjen e saktë të zjarrit që do t’u kishte dhënë mundësinë të vendosnin pengesat e duhura në rrugët që të çonin në zonë.

Si rezultat, shumë shoferë ishin futur gabimisht në zonën e zjarrit dhe kishin gjetur vdekjen si pasojë e bllokimit në rrugët e ngushta.

Zyrtarët u kritikuan gjithashtu për zhvillimin e takimit mbi situatën emergjente, pas shpërthimit të zjarrit.

Për disa ditë ka pasur konfuzion lidhur me numrin e saktë të të vdekurve dhe të zhdukurve.

Nikos Toskas tha se kishte ofruar dorëheqjen menjëherë pas rënies së zjarrit, por kryeministri Tsipras i kishte kërkuar të qëndronte në detyrë deri në fund të emergjencës.

Të afërm të dy prej viktimave, kanë ngritur padi ndaj autoriteteve për neglizhencë dhe ekspozim ndaj rrezikut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG