Rojet bregdetare të Greqisë thonë se të paktën 3 persona u mbytën, pasi ishin hedhur nga një anije dhe po notonin drejt bregut të ishullit të Kretës.
Marina greke tha se incidenti ndodhi sot në portin e Sudës. 16 persona të tjerë kanë humbur dhe rreth 28 vetë janë çuar në spital me hipotermi.
Të gjithë ata mendohet se janë hedhur nga një anije greke, që po transportonte rreth 1 mijë persona të evakuuar nga Libia.
Gjatë ditëve të fundit, janë transportuar mijëra vetë me anije nga Libia për në ishullin e Kretës shumica e tyre imigrantë, të cilët largohen nga luftimet mes forcave të Gadafit dhe atyre kryengritëse.