Lidhje

Greqi, shtohen vetvrasjet për shkak të krizës


Greqi, shtohen vetvrasjet për shkak të krizës
Greqi, shtohen vetvrasjet për shkak të krizës

Në Greqi, kostoja e masave të shpëtimit financiar mbi popullatën po shoqërohet me një prirje alarmante - numri në rritje i vetvrasjeve mes pronarëve të vegjël të bizneseve. Sipas një drejtuesi të biznesit, ky numër është pesëfishuar që nga viti 2009.

Presidenti i Konfederatës Kombëtare të Tregtisë, Vasilis Korkidis, thotë se vitin e kaluar ka patur më shumë se 1 mijë e 500 vetëvrasje, për shkak se pronarët e dyqaneve shpesh e kanë patur të vështirë të përballen me familjet që kërkojnë ndihmën e tyre.

Vasilis Korkidis, President i Konfederatës Kombëtare të Tregtisë

"Ata mendojnë se kanë punuar një jetë të tërë për një jetë më të mirë për familjet dhe për veten e tyre dhe në fund dështuan. Në vend që të shkojnë në burg, ata zgjedhin vetvrasjen," thotë zoti Korkidis, konfederata e të cilit përfaqëson 800 mijë biznese të vogla dhe të mesme të Greqisë.

Zoti Korkidis shpreh gjithashtu shqetësim se trazirat e së dielës në Athinë, mund t’i kenë dhënë një goditje tjetër shkatërrimtare perspektivës ekonomike të vendit.

Nga trazirat u dëmtuan 170 biznese, përfshirë 45 dyqane që u shkatërruan plotësisht dhe nuk mund të rihapen, thotë zoti Korkidis.

Këto dyqane punësonin 200 njerëz, të cilët tani janë pa punë, në një vend ku papunësia është tashmë mjaft e lartë.

Një pronar kafeneje e përshkroi kështu momentin kur dyqani i tij u përfshi nga flakët.

"Ndërtesa nisi të digjej dhe bashkë me të dyqanet. Dy dyqane rrobash aty pranë ishin bërë shkrumb. Papritur, mori zjarr kati i tretë dhe nisi të bjerë çatia. E gjithë ndërtesa kishte marrë zjarr për shkak të shisheve me benzinë që ata hidhnin," tregon George Athanasopoulos.

Parlamenti grek miratoi shkurtime të mëdha në sektorin publik, ndihmat sociale dhe në pagën minimale, kërkesa që duhen plotësuar në mënyrë që vendi të mund të marrë paketën e shpëtimit financiar dhe të paguajë këstin e borxhit muajin tjetër.

Ekonomia greke vazhdon të jetë në recesion të thellë që nga fundi i vitit 2008. Prodhimi i përgjithshëm kombëtar ra 7 përqind në tremujorin e katërt të 2011-s.

XS
SM
MD
LG