Lidhje

Merkel-Hollande: Dera mbetet e hapur për negociata me Greqinë


France Germany Greece Bailout
France Germany Greece Bailout

Udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës thanë se e respektojnë votën e Greqisë kundër kushteve të një plani ndërkombëtar dhe shtuan se dera mbetet e hapur për negociata me qeverinë greke për të gjetur një mënyrë që Greqia të qëndrojë në Eurozonën e përbërë nga 19 vende.

Kancelarja gjermane Angela Merkel theksoi rëndësinë që Greqia të marrë përgjegjësi për reformimin e ekonomisë së saj:

"Po e themi shumë qartë se dera për bisedime mbetet e hapur dhe se takimi i udhëheqësve të Eurozonës nesër duhet të kuptohet në këtë frymë. Por në të njëjtën kohë, ne themi se kërkesat për fillimin e negociatave mbi një program konkret ndihme financiare tani nuk janë plotësuar. Do të jetë shumë e rëndësishme që nesër kryeministri grek të na tregojë se cilat janë hapat e ardhshëm të Greqisë dhe të paraqesë një propozim të saktë për një program afatmesëm që do ta çonte Greqinë drejt begatisë dhe rritjes ekonomike."

Presidenti francez François Hollande tha se është e rëndësishme që Evropa të tregojë solidaritet me Greqinë:

"Tani varet nga qeveria e zotit Aleksis Tsipras për të ofruar, propozime serioze dhe të besueshme në mënyrë që kjo të mund të shndërrohet në një program i cili hap një perspektivë afat-gjatë, sepse Greqia ka nevojë për një perspektivë afatgjatë në Eurozonë me rregulla të qëndrueshme, ashtu siç vepron vetë Eurozona."

Dy udhëheqësit, të cilët u takuan të hënën në Paris, drejtojnë ekonomitë më të mëdha të Eurozonës.

Franca ka mbajtur një qendrim më pajtues se sa Gjermania për çështjen e borxhit grek.

Uashingtoni tha të hënën se udhëheqësit grekë dhe evropianë duhet të kërkojnë një kompromis, i cili të lejojë që Greqia të mbetet në Eurozonë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, tha se është në interesin e Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara që kriza e borxhit grek të zgjidhet.

Agjencia e klasifikimit të kreditit, Fitch tha se “jo”-ja e Greqisë në referendumin e së dielës e rrit në mënyrë dramatike rrezikun që Greqia të largohet nga Eurozona.

Agjencia Fitch tha se një marrëveshje mes Greqisë dhe kreditorëve ende është e mundur por mbetet pak kohë. Sipas agjencisë, Banka Qendrore Evropiane mund të gjejë rrugën për t’i furnizuar bankat greke me para ndërkohë që negociatat vazhdojnë.

Ndërkohë, Banka Qendrore Evropiane njoftoi se do ta mbajë të pandryshuar nivelin e kredisë emergjente për bankat greke, duke i lënë këto banka nën një trysni në rritje për të përballuar tërheqjet e parave nga depozituesit.

qeveria greke emëroi zotin Euklid Tsakalotos si ministër të ri të financave, një ditë përpara një takimi të ngutshëm me kreditorët në Bruksel.

Ekonomisti 55-vjeçar ishte negociatori kryesor i Kryeministrit Aleksis Tsipras në bisedimet që u ndërprenë muajin e kaluar para se zoti Tsipras të thërriste referendumin. Në referendum, grekët votuan kundër propozimeve të fundit të kreditorëve, që ishin kusht për t’i dhënë Greqisë fonde dhe për të shmangur mospagimin e kredive.

Zoti Tsakalotos i zë vendin kolegut të tij Yanis Varoufakis, i cili dha dorëheqjen po të hënën, duke deklaruar se largimi i tij do të ndihmonte arritjen e njuë marrëveshjeje në negociatat e shpëtimit financiar të vendit.

Zëdhënësi i kabinetit grek, Gabriel Sakellaridis, tha se qeveria po bën përpjekje për të arritur marrëveshje me kreditorët sa më shpejt që të jetë e mundur, për të shmangur një katastrofë ekonomike. Ai tha se qeveria është në dijeni se sa kritike është situata.

Kryeministri Tsipras dhe ministri i ri i financave pritet t’u ofrojnë propozime të reja kreditorëve evropianë.

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Scheuble, tha se pasuesi i zotit Varoufakis do të jetë në një situatë jo të lehtë për të gjetur një zgjidhje me kolegët e tij të Eurogrupit.

REAGIME TË TJERA

Rezultati i referendumit i ka bërë diskutimet e Greqisë me kreditorët më të vështira, por synimi mbetet që Greqia të vazhdojë të qëndrojë në Eurozonë, tha kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem.

"Vazhdoj ta them se pavarësisht nga rezultati i referendumit, Greqia duhet të marrë masa të vështira, përndryshe qeveria nuk do të funksionojë, ekonomia nuk do të funksionojë. Nëse qeveria dhe populli nuk pranojnë masa të vështira, ne do të hyjmë në një gjendje shumë të vështirë,” tha kreu i Eurogrupit.

Henrik Enderlein, një nga ekonomistët më të njohur të Gjermanisë, parashikon një dalje të mundshme të Greqisë nga Eurozona:

"48 orët e ardhshme do të jenë vendimtare, sepse pas kësaj 'jo'-je do të jetë e vështirë për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve. Në qoftë se Aleksis Tsipras, pas kësaj vote 'jo', që është një fitore për të – e shfrytëzon fitoren dhe vazhdon provokimet duke thënë se "tani unë kërkon një marrëveshje me kushte shumë të mira ', atëherë unë kam shumë pak shpresë se dalja e Greqisë nga Eurozona mund të shmanget."

"Mendoj se për Greqinë, dalja nga euroja do të ishte fatkeqësi. Ajo do të kalonte nëpër dy, tre, ose më shumë vite recesioni dhe një rritje masive të papunësisë, inflacioni do të arrinte nivele rekord. Mendoj gjithashtu se pasojat humanitare do të ishin një burim i vërtetë shqetësimi në zemrën e Bashkimit Evropian, prandaj kjo duhet të shmanget," tha zoti Enderlein.

XS
SM
MD
LG