Lidhje

Greqi, bie bursa në ditën e parë të hapjes


Në Greqi, çmimet e aksioneve pësuan rënie, ndërkohë që Bursa e Athinës u hap sot për herë të parë pas pesë javësh. Indeksi i këmbimit humbi rreth 23 për qind në hapje të bursës.

Deri në orët e pasdites rënia në bursë ishte rreth 16 përqind, ku aksionet e bankave ishin viktima kryesore.

Rënia e ndjeshme e bursës fshiu 11 miliard dollarë në vlerë aksionesh.

Analistët financiarë thanë se ekziston një atmosferë paniku në bursë dhe se mungojnë blerësit, për shkak se ekonomia është goditur rëndë nga kontrolli i kapitaleve dhe mbyllja e bankave.

Qeveria e mbylli bursën në fund të qershorit, njëkohësisht me mbylljen e bankave dhe vendosjen e kufizimeve në tërheqjen e depozitave, si reagim ndaj krizës së borxhit.

Muajin e kaluar Greqia arriti marrëveshje mbi një plan të ri me Bashkimit Evropian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe rihapi bankat më 20 korrik.

Kontrolli mbi depozitat është ende në fuqi dhe qeveria vazhdon të negociojë me kreditorët mbi kushtet e sakta të një pakete të re shpëtimi që mund të arrijë deri në 94 miliard dollarë.

Kjo është paketa e tretë e shpëtimit për Greqinë në pesë vjet. Ajo erdhi pas disa javë negociatash dhe polemikash, gjatë të cilave votuesit grekë hodhën poshtë me referendum një paketë të mëparshme shpëtimi.

Shumë grekë kundërshtojnë masat e ashpra shtrënguese që kërkojnë kreditorët, duke thënë se kjo vetëm se i ka keqësuar problemet ekonomike të vendit.

XS
SM
MD
LG