Lidhje

Greqia brengoset për një valë të re imigrantësh përmes Turqisë


Greqia brengoset për një valë të re imigrantësh përmes Turqisë
Greqia brengoset për një valë të re imigrantësh përmes Turqisë

Stambolli, qyteti më i madh i Turqisë, është vetëm disa orë larg me makinë nga kufiri me Greqinë. Aeroporti ndërkombëtar i qytetit ofron fluturime të drejtpërdrejta nga shumica e vendeve afrikane dhe të Lindjes së Mesme dhe njerëzit që vijnë e kanë të lehtë të sigurojnë vizë.

Ky bashkëdyzim e ka bërë qytetin një qendër për njerëzit që përpiqen të hyjnë në mënyrë të paligjshme në Bashkimin Evropian qoftë për arsye politike apo ekonomike.

Shumë kërkojnë të ashtuquajturin “njeri të lidhjeve”, i cili lidh emigrantët me kontrabandistët që i ndihmojnë të kalojnë kufirin.

Njëri nga këta “njerëz të lidhjeve” – le ta quajmë Mikel – është nga Afrika Perëndimore. Ai thotë se kontrabandimi i njerëzve në Stamboll është tani një biznes i madh, por nuk është pa rreziqe.

“Po thjesht, është biznes i madh dhe ka shumë para në këtë punë. Kjo është arsyeja pse edhe njerëz të tjerë po përfshihen në këtë veprimtari. Me sa di, kam nja 10 apo 12 lidhje me njerëz. Rruga kryesore për në Greqi është përmes tokës ose me anije përmes detit. Me anije organizohet një udhëtim në tre muaj. Nga toka ka udhëtime çdo javë, por rreziqet janë më të shumta. Nëse të mbaron ushqimi apo sëmuresh, mund edhe të vdesësh. Do të të lënë aty. Askush nuk do të kujdeset për ty. Rreziku tjetër është se Turqia dhe Greqia dikur ishin armiq për një kohë të gjatë dhe kufiri është i minuar. Ka njerëz që po vdesin shkaku i minave.”

Përkundër rrezikut, Bashkimi Evropian thotë se 80 mijë imigrantë të paligjshëm hyjnë në Greqi nëpërmjet Turqisë çdo vit. Një prej tyre është Dejvidi nga Nigeria.

“U përpoqa njëherë përsa munda për të kaluar në Greqi. Ajo që na premtuan ishte se do të na sillnin një varkë. Por kjo doli të ishte një gomone. Dhe, për shkak të largësisë, udhëtuam për dy ditë. Ua shpëtova jetën dy djemve që ishin me mua. Të dy frikoheshin aq shumë sa që s’ishin në gjendje të bënin gjë. Por unë, vetëm unë, isha në gjendje të drejtoja gomonen dhe shkuam të gjithë në Greqi. Por, kur mbërritëm, na kapi policia dhe na mbajtën në qeli nja tri javë.”

Dejvidi u deportua përfundimisht për në Turqi, ku po shqyrton një përpjekje tjetër.

Për të frenuar rrjedhën në rritje të imigrantëve, policia kufitare e BE-së u dislokua për të ndihmuar forcat greke të sigurisë. Athina tani frikohet se me trazirat në Lindjen e Mesme dhe Afrikën veriore numri i të ardhurve mund të rritet edhe më tej.

Ministri grek përgjegjës për imigracionin e paligjshëm, Kristos Papoucis, vizitoi Ankaranë në fillim të këtij muaji për të diskutuar rreth çështjes.

Profesor Ahmet Içdujgu i Universitetit Koç të Stambollit paralajmëron se kontrabandimi i njerëzve po bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar.

“Në përgjithësi, është një sistem funksional me anë të rrjeteve të miqve dhe të afërmve. Telefonat celularë janë po ashtu mjaft të rëndësishëm në gjithë këtë biznes të kontrabandës dhe trafikimit.”

Sipas ekspertëve, kontrabandimi i njerëzve është bërë biznes me përfitime prej miliona dollarësh.

Njeriu i lidhjeve, Mikeli, thotë se konkurrenca e tillë po i ul çmimet dhe tani shumë emigrantëve u kërkohet të paguajnë vetëm nëse udhëtimi në destinacionin e tyre është i suksesshëm.

“Askush nuk jep kapar tani për shkak të konkurrencës. Nëse unë kam një mik që dëshiron të shkojë në Itali, unë hyj si garantues dhe i mbaj paratë e tij. Dhe, kur ai mbërrin në Athinë ose Romë, më merr në telefon që do të thotë se ndodhet i sigurt në Evropë. Atëherë unë kryej pagesën.”

Ndërlikimi i mëtejshëm i kontrabandimit të njerëzve bashkë me konkurrencën në rritje mund ta bëjnë Stambollin edhe më tërheqës për emigrantët e ardhshëm. Vëzhguesit thonë se me shkallëzimin e trazirave në Libi dhe vende të tjera në rajon do të mund të ketë rritje të biznesit në muajt e ardhshëm për kontrabanduesit e njerëzve.

XS
SM
MD
LG