Lidhje

Referendumi grek, reagojnë partnerët


Kryeministri grek Aleksis Tsipras thotë se është gati të kthehet në tryezën e bisedimeve, pasi 61 për qind e votuesve në referendumin e së dielës votuan kundër pranimit nga Greqia të masave të mëtejshme shtrënguese në këmbim të shpëtimit financiar.

Ai tha se rezultati e forcon mandatin e tij për të negociuar një marrëveshje më të mirë për Greqinë.

Por disa nga partnerët e tjerë të eurozonës, treguan se nuk u kanë bërë shumë përshtypje rezultatet e referendumit.

Gjermania po mban një qëndrim të ashpër ndaj Greqisë dhe përpjekjeve të Athinës për të rinegociuar për fonde shtesë.

Steffen Seibert, zëdhënës i qeverisë gjermane, sinjalizoi një linjë të ashpër ndaj Greqisë. Ai tha se Gjermania është ende e gatshme për bisedime me Greqinë në çdo kohë, por kjo varet nga qeveria greke dhe kushtet nuk janë përmbushur ende:

"Në dritën e vendimit të djeshëm nga qytetarët grekë, nuk ka asnjë bazë për të hyrë në negociata për një program të ri ndihme. Greqia është anëtare e euros. Varet nga Greqia dhe nga qeveria e saj që ajo të mbetet e tillë. Gjithçka varet nga propozimet që qeveria greke hedh në tryezë," tha zëdhënësi.

Sigmar Gabriel, Gjermanisë zëvendëskancelar dhe ministër i ekonomisë, i tha gazetës gjermane Tagesspiegel se zoti Tsipras ka "shembur urat e fundit, mbi të cilat Evropa dhe Greqia mund të lëvizin në drejtim të një kompromisi.”

Ministri francez i financave, Michel Sapin, ndërkohë tha se ekziston ende një "bazë dialogu" për një program ndihmash për Greqinë, por shtoi se varet nga Athina për ta marrë "këtë dialog seriozisht".

"Ekziston në tryezë një bazë për dialog, por varet nga Greqia që të tregojë se ajo e merr këtë dialog seriozisht. Greqia e di se mund të mbetet në eurozonë, por për këtë duhen marrë vendime,” tha ministri francez.

Rezultati i referendumit i ka bërë diskutimet e Greqisë me kreditorët më të vështira, por synimi mbetet që Greqia të vazhdojë të qëndrojë në Eurozonë, tha kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem.

"Vazhdoj ta them se pavarësisht nga rezultati i referendumit, Greqia duhet të marrë masa të vështira, përndryshe qeveria nuk do të funksionojë, ekonomia nuk do të funksionojë. Nëse qeveria dhe populli nuk pranojnë masa të vështira, ne do të hyjmë në një gjendje shumë të vështirë,” tha kreu i Eurogrupit.

Henrik Enderlein, një nga ekonomistët më të njohur të Gjermanisë, parashikon një dalje të mundshme të Greqisë nga Eurozona:

"48 orët e ardhshme do të jenë vendimtare, sepse pas kësaj 'jo'-je do të jetë e vështirë për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve. Në qoftë se Aleksis Tsipras, pas kësaj vote 'jo', që është një fitore për të – e shfrytëzon fitoren dhe vazhdon provokimet duke thënë se "tani unë kërkon një marrëveshje me kushte shumë të mira ', atëherë unë kam shumë pak shpresë se dalja e Greqisë nga Eurozona mund të shmanget."

"Mendoj se për Greqinë, dalja nga euroja do të ishte fatkeqësi. Ajo do të kalonte nëpër dy, tre, ose më shumë vite recesioni dhe një rritje masive të papunësisë, inflacioni do të arrinte nivele rekord. Mendoj gjithashtu se pasojat humanitare do të ishin një burim i vërtetë shqetësimi në zemrën e Bashkimit Evropian, prandaj kjo duhet të shmanget," tha zoti Enderlein.

Komisioni Evropian tha se e "respekton" rezultatin e referendumit. Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka bërë thirrje për një takim të nivelit të lartë të udhëheqësve të Eurozonës nesër për të diskutuar mbi gjendjen.

XS
SM
MD
LG