Lidhje

Mbyllja e burgut të Guantanamos


Presidenti Barak Obama prezantoi planet e administratës për të mbyllur burgun ushtarak të Guantanamos në ishullin e Kubës, duke thënë se ky objekt “nuk i shërben sigurimit kombëtar të vendit, por e dëmton atë”.

“Nëse vendi ynë nuk merret me këtë punë tani, kur do të merret me të?” – tha presidenti në Shtëpinë e Bardhë, pasi Pentagoni dorëzoi në Kongres planin për mbylljen e burgut. Ai i bëri thirrje Kongresit të “pozicionohet në anën e drejtë të historisë” dhe i bëri apel vendit të veprojë në bazë të mësimeve që ka nxjerrë gjatë 15 vjetëve të fundit.

Republikanët u hodhën menjëherë në kritika kundër planit.

“Kongresi nuk ka lënë vend për konfuzion. Transferimi i të burgosurve në tokë amerikane është kundër ligjit dhe do të vazhdojë të jetë kundër ligjit ,” tha Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan. “Ne nuk do të vëmë në rrezik sigurinë kombëtare për hir të një premtimi gjatë fushatës”.

Një zyrtar i lartë i administratës tha se mbyllja e Guantanamos është një përparësi e interesave kombëtare, pasi objekti “ka frymëzuar xhihadistët” dhe shërben si mjet rekrutimi për terroristët.

Presidenti premtoi mbylljen e burgut kur erdhi në pushtet në vititn 2009, por 7 vjet më pas, dhe një vit para largimit të tij nga posti, në Guantanamo ka ende 91 të burgosur.

Në raportin e paraqitur nga Pentagoni thuhet se duhet të ketë një diskutim për 13 pika të mundshme brenda Shteteve të Bashkuara, ku ushtria mund të transferojë një grup prej 30-60 të ndaluarish. Megjithatë, raporti nuk rekomandon se cila nga qendrat brenda Shteteve të Bashkuara duhet zgjedhur. Mes objekteve të propozuara për qendrën e re të ndalimit janë burgjet federale në Kansas, Kolorado dhe në Karolinën e Jugut, si dhe disa objekte ushtarake.

Një zyrtar i lartë i adminsitratës tha se lëvizja e të burgosurve nga Kuba për në SHBA do t’i kursente Pentagonit 65-85 milionë dollarë në vit.

XS
SM
MD
LG