Lidhje

Guine, junta ushtarake premton një "qeveri të bashkimit kombëtar"


Ushtarët në postblloqe pas kryerjes së puçit ushtarak në Guinea

Drejtuesit ushtarakë që morën pushtetin dhe shpërndanë Asamblenë Kombëtare të Guinesë thanë të hënën se do të krijojnë një qeveri kalimtare.

Detajet e tranzicionit të premtuar nuk ishin menjëherë të qarta, por ato pasuan dënimin e gjerë të grushtit të shtetit nga bashkësia ndërkombëtare.

Në një fjalim një ditë pasi njerëzit e tij deklaruan në televizionin kombëtar se kishin arrestuar presidentin dhe kishin shfuqizuar kushtetutën e vendit, koloneli i ushtrisë Mamady Doumbouya premtoi një "qeveri të bashkimit kombëtar".

Ai gjithashtu deklaroi se nuk do të kishte "gjueti shtrigash" të zyrtarëve qeveritarë të cilët ai i shkarkoi gjatë marrjes nën kontroll dhe i zëvendësoi me komandantë ushtarakë rajonalë.

Koloneli Doumbouya shpresonte të qetësonte shqetësimet rreth trazirave ekonomike, duke premtuar se Guinea "do të mbështeste të gjitha angazhimet e saj (dhe) marrëveshjet minerare", duke theksuar "angazhimin e saj për t'i dhënë trajtim të favorshëm investimeve të huaja në vend."

Minierat përbëjnë afërsisht 35% të prodhimit të brendshëm bruto në Guine, qytetarët e së cilës rrallë përfitojnë nga pasuria minerare e vendit për shkak të korrupsionit dhe mungesës së infrastrukturës.

Një video u shfaq disa orë pas marrjes së pushtetit, e cila tregonte Presidentin e Guinesë Alpha Conde në një dhomë të rrethuar nga ushtarë të forcave speciale. Anëtarët e ushtrisë të cilët iu referuan vetes si Komiteti Kombëtar i Tubimit dhe Zhvillimit (CNRD) më vonë lëshuan një deklaratë duke thënë se 83-vjeçari Conde nuk ishte dëmtuar dhe ishte në kontakt me mjekët e tij.

Në tetor, zoti Conde fitoi një mandat të tretë në detyrë pasi ndryshoi kushtetutën për ta lejuar atë të kandidojë përsëri. Zgjedhjet e diskutueshme ndezën protesta të dhunshme në të gjithë vendin.

Alpha Conde
Alpha Conde

Luftime u raportuan të dielën në kryeqytetin Conakry, por pas njoftimit të marrjes në dorëzim, shumë njerëz festuan në rrugë për atë që ata besonin se ishte një grusht shteti i suksesshëm.

Një deklaratë e lëshuar të dielën nga Departamenti Amerikan i Shtetit dënoi grushtin e shtetit, duke paralajmëruar se "masat ekstra-kushtetuese vetëm do të gërryejnë perspektivat e Guinesë për paqe, stabilitet dhe prosperitet" dhe do të kufizojnë aftësinë e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë të Guinesë "për ta mbështetur vendin drejt unitetit kombëtar".

Departamenti i Shtetit u bëri thirrje të gjitha palëve të krijojnë "një proces të dialogut kombëtar për të adresuar shqetësimet në mënyrë të qëndrueshme dhe transparente, për të mundësuar një rrugëtim paqësor dhe demokratik për Guinenë drejt arritjes së potencialit të saj të plotë".

Kombet e Bashkuara, Franca dhe Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore, ose ECOWAS, dënuan me shpejtësi trazirat në Guine.

Mohamed Ibn Chambas, ish-përfaqësues special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe ish-kreu i Zyrës së OKB-së për Afrikën Perëndimore dhe Sahelin, i tha Zërit të Amerikës se ECOWAS nuk mban asnjë përgjegjësi për trazirat në Guine, sepse udhëheqja e saj në mënyrë të përsëritur paralajmëroi zotin Conde kundër ndryshimit të kushtetutës dhe drejtimit për një mandat të tretë.

Zoti Chambas thotë se pret që ECOWAS të përsërisë "politikën e saj të tolerancës zero për grusht ushtarak të shtetit", duke shtuar se "nuk ka asnjë mënyrë që situata aktuale të mund të pranohet nga autoritetet e krerëve të shteteve dhe qeverive".

* Korrespondenti i Zërit të Amerikës James Butty kontribuoi për këtë artikull. Disa informacione u morën nga agjensitë e lajmeve The Associated Press, Reuters dhe Agence France-Presse.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG