Lidhje

Guvernatori i Kalifornisë kërkon ndihmë ndërkombëtare


Jesse Katz joins the firefighting effort as a civilian volunteer battling the CZU August Lightning Complex Fire, Friday, Aug. 21, 2020, in Bonny Doon, Calif. (AP Photo/Marcio Jose Sanchez)

Ndërsa zjarret vazhdojnë të shkrumbojnë pjesën perëndimore të shtetit amerikan të Kalifornisë, Guvernatori Gavin Newsom bëri thirrje për ndihmë ndërkombëtare për të përmbajtur flakët.

Zoti Newsom i kërkoi Kanadasë dhe Australisë furnizime dhe mbështetje, ndërsa mbi 12 mijë zjarrfikës nga Kalifornia dhe 10 shtete të tjera amerikane po luftojnë me 560 vatra zjarri. Ai tha se Australia ka disa prej zjarrfikësve më të mirë në botë të specializuar ndaj zjarreve të pyjeve.

Guvernatori Newsom tha se zjarret kanë ndikuar më tepër në Kaliforninë veriore, ku dhjetëra mijëra njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe ndërkohë janë shkatërruar qindra banesa dhe godina të tjera.

"Thjesht nuk kemi parë diçka të tillë që prej shumë e shumë vitesh", tha zoti Newsom. "Këto zjarre po ezaurojnë furnizimet dhe personelin tonë".

Moti gjatë fundjavës në Kaliforni rrezikon të fuqizojë zjarret që kanë vrarë të paktën pesë persona dhe plagosur 43 të tjerë, ndër ta edhe zjarrfikësa, si dhe kanë shkrumbuar 2020 kilometra katrorë, gjatë kësaj vale historike të të nxehtit.

Aktualisht janë rreth 560 vatra zjarri në mbarë Kaliforninë, shumë prej tyre të përmasave të vogla dhe në zona të largëta. Pjesa më e madhe e dëmeve u shkaktua nga tre grupe zjarresh që dogjën pyje dhe zonat rurale përreth Gjirit të San Françiskos, si dhe hardhitë dhe vreshtat e atjeshme.

Disa prej pemëve të atjeshme mijëravjeçare të llojit sekuoja janë në rrezik të digjen. Ndërtesat në parkun shtetëror që përmban këto pemë janë dëmtuar tashmë.

Zjarri i tretë ka rrënuar pjesë të bashkive San Mateo dhe Santa Cruz.

Mbi 100 mijë persona janë evakuar nga zjarret që mendohet se filluan prej vetëtimave që pati më herët këtë javë.

Presidenti amerikan Donald Trump ka fajësuar Kaliforninë për zjarret dhe duket i befasuar që zyrtarët e atij shteti nuk kanë ndjekur sugjerimin e tij për t'i parandaluar ato. Nga Pensilvania, Presidenti Trump u shpreh të enjten se u kishte thënë autoriteteve të Kalifornisë se "duhet të pastroni tabanet, të pastroni pyjet - ka shumë shumë vite gjethesh dhe pemësh të thyera; dhe ato janë aq të djegshme; i prek dhe fillon (flaka)".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG