Lidhje

Rick Perry dhe Mitt Romney në krye të listës për postin e kandidatit republikan për president


Rick Perry dhe Mitt Romney në krye të listës për postin e kandidatit republikan për president
Rick Perry dhe Mitt Romney në krye të listës për postin e kandidatit republikan për president

Anketa të fundit tregojnë se zoti Perry kryeson ndaj zoti Romney, i cili kishte udhëhequr renditjen për disa muaj me rradhë.

Të dy kandidatët këmbëngulin se përvoja që kanë fituar duke krijuar vende të reja pune në shtetet e tyre përkatëse i bënë ata të jenë zgjedhja më e mirë për të përballur presidentin Obama në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Zoti Perry ka shërbyer më gjatë pa ndërprerje, në krahasim me të gjithë guvernatorët e tjerë në vend. Ai e mori postin e tij pas zgjedhjes së z. George W. Bush si president i Shteteve të Bashkuara në fund të vitit 2000.

“Nëse dikush sheh se çfarë kemi bërë në këtë dhjetëvjeçar të fundit, do të vëjë re se kemi krijuar më tepër se një milion vende të reja pune në shtetin e Teksasit në të njëjtën kohë që në Shtetet e Bashkuara u humbën mëse dy milionë e gjysmë vende pune.”

Zoti Romney ishte guvernator i shtetit Masaçusets për katër vjet dhe ai gjithashtu thekson se ka krijuar vende të reja pune gjatë asaj kohe. Por kandidati Romney thotë se është një zgjedhje më e mirë pasi ai ka punuar për vite me rradhë në sektorin privat para se të fillonte karrierën politike.

“Përvoja që kam fituar, duke nisur aktivitete private e duke ndihmuar aktivitetet e tjera të rriteshin dhe të kishin sukses, është ajo çfarë më jep mua aftësinë për të krijuar një plan për të ndihmuar në ri-strukturimin e themeleve të ekonomisë së Shteteve të Bashkuara, në mënyrë që të jemi sërish në gjendje të hapim vende të reja pune cilësore dhe të konkurojmë me të gjitha vendet e botës.”

Ngritja e shpejtë e rezultateve të guvernatorit Perry në anketat e fundit është e lidhur drejtpërdrejt me rënien e nivelit të paraqitjes në këto anketa të anëtares Kongresit Michele Bachmann, thotë analisti i Universitetit “American” Allan Lichtman.

“Unë mendoj se gara do të fillojë të zhvillohet tërësisht midis këtyre dy kandidatëve, guvernatorit të Tesksasit Rick Perry dhe ish-guvernatorit të shtetit Masaçusets Mitt Romney. Nuk besoj se znj. Michele Bachmann ka një mbështetje të mjaftueshme për të qenë kandidate për një kohë të gjatë, edhe pse ajo fitoi në votimin provë të republikanëve të zhvilluar në Ajoua, për të cilin mund të thuhet se historikisht nuk ka qenë vendimtar.”

Anëtarja e Kongresit Bachmann shpresoi që vendi i parë i në Ajoua do t’a vendoste në krye të listës së gjatë të kandidatëve republikanë, por ajo tashmë ndodhet në vendin e tretë ose të katërt në rezultatet e anketave të fundit.

Analistët politikë thonë se z. Perry, në rrugën drejt zgjedhjeve paraprake brenda partisë në fillimin e vitit të ardhshëm, mund të përfitojë shumë prej parapëlqimit të tij nga ana e votuesve konservatorë të Partisë Republikane.

Specialisti politik i Institutit Amerikan “Enterprise”, Norman Ornstein thotë se guvernatori Perry preferohet prej konservatorëve socialë për shkak të besimit të tij fetar dhe prej aktivistëve të grupit “Tea Party” të cilët mbështesin një rol të pakësuar për qeverinë qëndrore.

“Entuziazmi rreth zotit Perry është pasqyrim si i shqetësimit të republikanëve mbi kandidaturën e z. Mitt Romney ashtu edhe i shqetësimit të tyre në lidhje me kandidatët e tjerë për sa i përket mundësive që ata kanë për t’u zgjedhur.”

Analistët thonë se ka kohë mëse të mjaftueshme për kryesuesit e anketave të deritanishme të ngecin dhe për disa prej atyre më pak të njohur të lëvizin në krye.

XS
SM
MD
LG