Lidhje

Dorëheqja e Sekretarit Hagel


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel njoftoi dje se po jep dorëheqjen nga ky post. Disa njoftime të medias thonë se vendimi i zotit Hagel është marrë nën trysni, por të tjerë lënë të kuptohet se ai ishte i pakënaqur me politikat e sigurisë kombëtare të administratës Obama.

Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel e shpalli dorëheqjen të hënën, pas gati dy vjetësh në detyrë.

"Ka qenë privilegji më i madh i jetës time për të udhëhequr dhe më e rëndësishmja, për të shërbyer bashkë me burrat dhe gratë e Departamentit të Mbrojtjes si dhe mbështetur familjet e tyre."

Presidenti Barack Obama e vlerësoi rolin e zotit Hagel në krye të Pentagonit dhe tha se ai e vendosi ushtrinë mbi një "bazë më të fortë."

"Chuck Hagel ka qenë një sekretar shembullor i mbrojtjes, duke siguruar qëndrueshmëri ndërkohë që ne modernizonim strategjinë dhe buxhetin për t'u përballur me kërcënimet afatgjata dhe vazhdonim t'u përgjigjeshim sfidave të tilla imediate si Isil dhe Ebola."

Por arsyeja për dorëheqjen e papritur të zotit Hagel mbetet e paqartë. Disa njoftime thonë se zoti Hagel ishte i pakënaqur me administratën. Sipas Shtëpisë së Bardhë, vendimi që zoti Hagel të largohej nga kabineti ishte i dyanshëm.

"Vendimi që u njoftua sot është rezultat i bisedave që presidenti dhe sekretari kanë pasur prej më shumë se një muaji. Si rrjedhojë, të dy ata arritën në përfundimin se në Pentagon duhet të vijë një ekip i ri drejtues."

Sipas gazetës New York Times, ishte Presidenti Obama që kishte vendosur se zoti Hagel duhej të largohej. Gazeta citon zyrtarë të lartë të paidenfikuar të kenë thënë se Shtëpia e Bardhë po kërkonte dikë me aftësi të ndryshme nga ato të zotit Hagel për të luftuar kundër grupit militant Shteti Islamik.

Një faktor tjetër mund të kenë qenë humbjet e demokratëve në zgjedhjet e mesit të mandatit.

Phillip Lohaus i Institutit American Enterprise i tha Zërit të Amerikës me Skype se presidenti mund ta ketë ndjerë të nevojshme të ristrukturojë ekipin e tij të sigurisë kombëtare.

"Mendoj se ishte logjike që administrata të kërkonte një person tjetër. Zoti Hagel nuk ndihej vërtet pjesë e atij ekipi të brendshëm të sigurisë në Shtëpinë e Bardhë".

Megjithë pakënaqësitë në Uashington, zoti Hagel e kishte të lehtë të lidhej me personelin ushtarak në terren.

Ai është vetë veteran i luftës së Vietnamit dhe u bë i pari Sekretar i Mbrojtjes që vinte nga radhët e veteranëve.

Ishte kjo përvojë luftarake që e bënte atë mjaft të afërt me ushtrinë, në krye të së cilës ai qëndroi si Sekretar i Mbrojtjes.

Zoti Hagel tha se do të mbetet në këtë post derisa Senati të konfirmojë pasuesin e tij. Sekretari i ardhshëm i mbrojtjes do t'i bashkohet kabinetit të presidentit, ndërkohë që ai përballet me sfidat e ndryshme të politikës së jashtme, nga tërheqja e trupave amerikane në Afganistan, tek lufta kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

XS
SM
MD
LG