Lidhje

Historia në rrezik në qytetin Hagerstaun


Hagerstaun, në shtetin e Merilendit, shërbente dikur si vendi ku kryhej tregëtia rajonale e skllevërve, ku burrat, gratë dhe fëmijët u shiteshin pronarëve të bardhë. Pasi skllevërit fituan lirinë në vitin 1863, disa qëndruan aty, duke formuar lagjen e tyre. Tani një grup afrikano-amerikanësh po përpiqet të ruajë historinë dhe kulturën mbi 100 vjeçare të komunitetit, që është venitur me kalimin e kohës. Korrespondenti Chris Simkins i Zërit të Amerikës njofton nga Hagerstauni në shtetin e Merilendit.

Rruga ‘Jonathan’ ka qënë epiqendra e jetës dhe kulturës afrikano-amerikane në Hagerstaun të Merilendit për më shumë se një shekull.

"Zona në rrugën ‘Jonathan’ ishte e mbushur me biznese, flokëtore dhe restorante. Njerëzit vinin nga vende të tjera për të provuar gjallërinë e jetës së natës këtu", thotë Anastasia Broadus, banore e qytetit.

"Pak më në të djathtë, ka qënë dikur Hoteli Harmon. Ishte hoteli i preferuar për afrikano-amerikanët që vinin të vizitonin Hagerstaunin - nga Anna Mae Bullock, Tina Turner, e deri tek Willie Mays.”

Alesia McBean po përpiqet të ruajë historinë e pasur të kësaj lagjeje, që daton, që para luftës civile. Skllevërit bliheshin dhe shiteshin këtu dhe ata që arratiseshin fshiheshin në Kishën ‘Ebenezer AME’ në Hagerstaun, që ndodhej përgjatë rrugës për në Pensilvani dhe drejt lirisë.

"Ajo ishte një strehë e sigurt përgjatë rrjetit të shtigjeve të fshehta që përdoreshin nga skllevërit për t’u arratisur".

Zonja McBean dhe të tjerë kërkojnë gjithashtu të gjejnë një mjedis të përhershëm për një tjetër qendër të njohur të komunitetit, muzeun ‘Doleman Black Heritage’. Koleksioni i tij prej 4, 500 objektesh, që flet për jetën e komunitetit, ndodhet nëpër magazina, që kur muzeu origjinal humbi ndërtesën në të cilën ishte ngritur.

((ALESIA MCBEAN, COMMUNITY ACTIVIST))

“Ky muze ka qenë këtu që nga viti 1974. Por qeveria lokale nuk ka qenë në gjendje të ndihmojë komunitetin për t’i siguruar një objekt publik. Është dëshpëruese për mua si vendase e Hagerstaunit”.

Zyrtarët lokalë thonë se nuk kanë fonde për të financuar një ndërtesë për muzeun, por shprehin angazhim për të përmirësuar lagjen përgjatë rrugës ‘Jonathan’. Herman Davis thotë se është shumë e rëndësishme që koleksioni i muzeut të ruhet.

"Muzeu përpiqet të bëjë të njohur historinë për të gjithë; nuk është vetëm për afrikano-amerikanët, por për të gjithë. Në se nuk e di historinë tënde të së shkuarës, nuk e di të ardhmen se ku po shkon”.

Disa në këtë komunitet, janë të shqetësuar se pa një muze, afrikano-amerikanët e rinj do të humbasin mundësinë të mësojnë rreth sakrifikave dhe ndjenjën e krenarisë që paraardhësit e tyre kanë patur për ta bërë këtë komunitet të lulëzojë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG