Lidhje

Hamburg: protesta ditën e fundit të samitit të G-20ës


Qyteti i Hamburgut u përball me një tjetër ditë protestash ndërsa udhëheqësit e 20 vendeve me ekonomitë më të mëdha të botës takohen për ditën e fundit të samitit G-20ës në Gjermani. Policia gjermane ishte përgatitur për dhunë dhe konfiskoi qindra armë të prodhuara në mënyrë artizanale, përfshi flakëhedhës dhe shkopinj.

Pas një proteste para agimit të së shtunës, policia e Hamburgut arrestoi të paktën 13 vetë. Më vonë, aktivistët e organizatës ambjentaliste Greenpeace varën një banderolë nga një urë në Hamburg që thonte “G-20: Jepni fund qymyrit”.

Rrjetet mediatike patën njoftuar se do të mbahej një protestë e madhe pasditen e së shtunës. Grupi “Hamburg Pushes Back” thotë se pret 30 mijë njerëz për një demonstratë në portin e qytetit.

Protestuesit u përleshën me policinë në Hamburg të premten, duke i shkaktuar lëndime gati 200 policëve dhe dhjetra aktivistëve.

Policia thotë se ata sollën më shumë se 900 oficerë shtesë nga mbarë vendi për të ndihmuar në kontrollimin e situatës, duke e çuar numrin e policisë në qytet në më shumë se 20 mijë.

Oficerët patrulluan dhjetëra marshime dhe ndërsa shumica e demonstruesve ishin të qetë, të tjerë i vunë zjarrin makinave, i gjuajtën policëve me shishe, dhe u përpoqën të hynin në qendrën ku po mbaheshin takimet mes krerëve të shteteve.

Disa protestues hodhën bomba benzine, ndezën zjarre në rrugë dhe plaçkitën biznese.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se protestat ishin të papranueshme.

“Unë i kuptoj demonstratat paqësore, por demonstratat e dhunshme vënë jetën e njerëzve në rrezik”, tha ajo.

Presidenti Trump vlerësoi zonjën Merkel për punën që vendi i saj ka bërë në mbajtjen e samitit, pavarësisht protestave anti-kapitaliste u përshkallëzuan në Hamburg të shtunën dhe përfshinë djegie të makinave dhe plaçkitje të dyqaneve.

"Është vërtet e pabesueshme mënyra se si gjërat janë trajtuar dhe asgjë nuk është e lehtë, por në mënyrë profesionale, pa shumë ndërprerje përkundër disa popujve dhe duket se i ndjekin G20-at tuaj përreth", tha Presidenti Trump për Merkelin. "Por ju keni qenë të mahnitshme dhe keni bërë një punë fantastike dhe shumë faleminderit, kancelar. Bravo ", tha udhëheqësi i SHBA.

Më shumë se 70 protestues u arrestuan dhe policia përdori pompa me ujë kundër protestuesve.

Një grup prej 22 notarësh të organizatës Greenpeace u përpoqën të arrinin në sallën e koncerteve në lumin Elbë ku udhëheqësit botërorë u mblodhën në mbrëmje për të dëgjuar interpretime të Beethovenit. Ata u ndalën nga zhytësit detarë.

Anijet e Greenpeace gjithashtu luanin muzikë jashtë sallës së koncerteve me volum të lartë, në përpjekje për të prishur koncertin dhe takimet e darkës.

Protestuesit kundër globalizimit bllokuan zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump në hotelin e saj, dhe nuk e lejuan të merrte pjesë në një takim të bashkëshortëve të udhëheqësve botërorë pasi policia nuk mund të siguronte rrugën.

Policia thotë se shumica e 100 mijë demonstruesve të vlerësuar ishin paqësorë, ndërsa rreth 1,000 protestues militantë shkaktuan shumicën e dëmeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG