Lidhje

Britania: koordinim europian kundër ISIS


Sekretari britanik i Shtetit për Punët e Jashtme Philip Hammond vizitë në Tiranë: Isis nuk duhet nënvlerësuar. Bushati: Shqiëpria e vendosur për të qenë krah aleatëve

Sekretari britanik i Shtetit për Punët e Jashtme dhe Commonwealth Philip Hammond, deklaroi sot në Tiranë se sulmet në Paris dëshmuan dhe një herë nevojën e bashkëpunimit në nivel europian për të goditur dhe parandaluar planet e ISIS-it

Këto komente Sekretari britanik i Shtetit, i bëri në përfundim të takimit me ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati. Ai tha se ngjarjet në Paris, nxorrën sërish në pah pozitat delikate kundrejt ISIS-it dhe se “aftësitë e kësaj organizate nuk duhen nënvleftësuar”. Sipas zotit Hammond, “duhet bashkëpunuar në të gjithë Europën, me agjencitë e shërbimeve sekrete, me forcat policore për t’i diktuar ku janë dhe për të parandaluar planet e tyre, kudo që kërkojnë të sulmojnë”.

Lidhur me angazhimin e Rusisë ai u shpreh se “deri tani kemi parë se Rusia nuk është e angazhuar në Siri për të luftuar ISIS-in, por, në fakt ka sulmuar më shpesh, madje shumica e sulmeve të tyre kanë qenë kundër opozitës së moderuar dhe jo ISIS-i”.

Sipas tij, “objektivi kryesor i Rusisë është që të mbështesë regjimin e Assadit, që nuk është në përputhje me programin tonë”, u shpreh sekretari britanik i Shtetit duke shtuar se “nëse Rusia kërkon të luajë një rol qëndror në luftën kundër ISIS, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, por nëse do të kenë si objektiv grupet kundër Assad-it kjo do të jetë e vështirë”, nënvizoi zoti Hammond.

Duke iu referuar pikërisht sfidave që po përjeton sot Evropa nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, Ministri Bushati nga ana e tij, siguroi homologun Hammond se “Shqipëria do të jetë me vendosmëri për krah vendeve aleate për të dhënë kontributin e saj në këtë luftë të përbashkët”.

Lidhur me marrëdhëniet dypalëshe, Sekretari britanik i Shtetit vlerësoi Shqipërinë si një partner shumë të rëndësishëm në Nato, ndërsa vecoi “bashkëpunimin e shkëlqyer në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes” si dhe rolin që Shqipëria luan në Ballkan “një rajon i vështirë ku ka shumë tensione historike që duhen menaxhuar”. Zoti Hammond tha se vendi i tij “mbështet plotësisht procesin e integrimit europian”, duke nënvizuar “vendosmërinë e Qeverisë për të cuar përpara reforma të rëndësishme”, ndër të cilat ai vecoi atë në Drejtësi.

XS
SM
MD
LG